Mbështetur nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda”, ka mbajtur tryezën tematike për të shënuar vitin jubilar, 40 vjetorin e botimit të numrit të parë të revistës “Horizonti”, e cila nga pjesëmarrësit u vlerësua si shkollë për këtë fushë edhe për enigmatët tjerë shqiptarë të Kosovës e më gjerë.
Me të drejt u vlerësuar se Gjilani është qyteti ku ka zënë fill historia e engimatëve shqiptarë dhe se nga institucionet komunale u premtua se tani e tutje aktivitete të tilla që do të bëhen nga kjo shoqatë, në këtë fushë, do të jenë pjesë e Manifestimit Kulturor Kombëtar “Flaka e Janarit”.
Paraprakisht, një delegacion i shoqatës “Ndre Mjeda” dhe redaksisë së revistës “Horizonti”, janë pritur në takim nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili u ka premtuar mbështetje maksimale për shënimit e kësaj date të rëndësishme të enigmatikës shqiptare, dhe se në manifestimet e ardhshme të Flakës së Janarit, do të shikohet mundësia që aktivitetet e kësaj fushe të përfshihen në kuadër të aktiviteteve të parapara.
Ndërsa në tryezë, drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Deniza Limani, tha se me kënaqësi e kanë mbështetur këtë aktivitet sepse është një datë e rëndësishme, 40 vjetori i daljes në dritë i kësaj reviste, (15 janar 1981 doli numri i parë i revistës “Horizonti”), si dhe rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve komunale për mbështetje të plotë në të ardhmen të aktiviteteve që do të organizohen nga kjo shoqatë, si dhe mundësinë që të jenë pjesë e manifestimit të “Flakës...”.
Doajeni i enigmatikës, Zijadin Hasani, një nga themeluesit e shoqatës dhe kryeredaktori i “Horizontit”, ka shpalosur historikun e revistës nëpër kohë, që nga botimi i numrit të parë si dhe foli për rëndësinë që e ka pasur “Horizonti”, në enigmatikën shqiptare në përgjithësi
Hasani tha se “Horizonti” lindi dhe mbijetoi në rrethana mjaftë të vështira por arriti të jetë një revistë që kërkohej nga të gjithë, duke përmendur faktin se në kohën e botimit të saj pati tirazhin e tillë duke qenë menjëherë pas Rilindjes.
Edhe pjesëmarrësit tjerë, Xhelal Abrashi, Xhelal Selmani, Skender Tullumi, Xhavit Hajdari, Sabri Tahiri, Shemsedin Kryeziu, Mensur Mamuti, Ekrem Krasniqi, Nazmi Pllana, Arbër Halilaj, Ismajl Gagica, Nexhat Hajrullahu, Muhamet Halili si dhe mysafirë të tjerë, kanë kontribuar në këtë tryezë, duke evokuar kujtimet e tyre përgjatë bashkëpunimit me revistën “Horizonti” si dhe ndikimin që ka pasur kjo revistë në formësimin e tyre si enigmatë, por edhe në zhvillimin e enigmatikës ndër ne, si dhe botimin e revistave tjera për enigmatikë.
Po ashtu, u dhanë ide që të aktivizohet shoqata me aktivitete të shumta të kësaj natyre, duke përfshirë edhe botimin e “Horizontit” si dhe angazhimet që në këtë fushë të përfshihen sa më shumë të rinj dhe të zhvillohet enigmatika edhe për fëmijë, sepse është shumë e rëndësishme, ngase siç u vlerësua, engimatika ndikon në zhvillimin e shkathtësive dhe është një stërvitje e trurit.