Ramadan Mehmeti, mësues në fshatin Kishnapole të Gjilanit, është pensionuar pas 43 vitesh punë në shkollimin e brezave të kësaj malësie, shkruan Mediafokus.info
Ai nuk ishte thjesht një mësues shkolle, por ishte edhe veteran arsimi i dëshmuar për 43 vite, aktivist, veprimtar e dijetar i kësaj ane, ku u respektua e u vlerësua shumë.
Lufta e tij ishte me laps. “Dikush e kapi lapsin, dikush e kapi pushkën”, thotë ai, teksa kujton vitet e kaluara.
Që nga viti 1979, kur filloi punën në arsim, nuk iu nda shkollës asnjëherë, pavarësisht sfidave nëpër të cilat kaloi arsimi shqip.
Vitet e 90-ta ishin kohë sfidash dhe derisa dikush iku në megrim, jo nga deshira po nga nevoja, Dani tha: ‘Tash o kurrë i duhemi atdheut’ dhe vendosi të ndajë fatin me nxënësit, bashkëvendësit dhe me popullin e tij.
Ajo që i mbeti në kujtesë ishte dëshira për të treguar se ‘unë jam biri yt vendlinndja ime’.
Mësuesi kishte dëshirë që me nxënësit e tij të arrijë e të promovojë vlera arsimore, kulturore.
Shpesh shkroi për ngjarjet e kohës, kryesisht monografi. Publikoi aktivitete të ndryshme. Ishte iniciator i shumë aksioneve në fshatin e tij. Kishte përkrahjen e masës. Ata i besonin Danit.
Përveç punës në arsim, që e kishte primare, Mehmeti angazhohej edhe në aktivitete ekonomike. Kohëve të fundit, rëndësi të veçantë i kushtoi ndihmës për familjet, duke u kujdesur për të siguruar donacione.
Përfitues kryesorë ishin nxënënësit, shkolla dhe bashkëfshatarët, përfshirë edhe të rinjtë. Fermerët përfituan mjete për kultivimin e kulturave bujqësore.
Me nxënësit e tij mori pjesë në shumë manifestime, siç ishte ‘Ditët e Naim Frashërit’ në Frashër dhe të tjera. Binjakëzoi shkollën ‘Afërdita’ me shkollën ‘Thoms Ikonome’ në Fier.
Për kontributet e tij të panumërta, më së miri flasin faktet që me rastin e ditëlindjes dhe daljes në pension, kolegët e shkollës ku punoi i organizuan një takim falenderues dhe i ndanë Mirënjohje si dhe disa dhurata.
Po ashtu edhe DKA-Gjilan, personalisht drejtori i arsimit, Nazim Gagica e falënderoi për punën e palodhshme, duke i dëshiruar shëndet në pension.
Ramadan Mehmeti u nda nga nxënësit dhe kolegët, i inkurajuar që të vazhdojë me aktivitete deri sa të ketë fuqi e shëndet, sepse ai i duhet fshatit, ku lindi e shërbeu një jetë të tërë.