Testi i maturës në Gjilan është mbajtur nën përgatitjet më të larta

Gjilani

Testi i maturës në Gjilan është mbajtur nën përgatitjet më të larta

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 13:32
Testi i maturës

 Në Komunën e Gjilanit sot është mbajtur testi i maturës për 1535 maturantë që këtë vit i nënshtrohen testimit me shkrim.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Kadir Hysein, tha se Gjilani ka traditë shembullore të organizimit të testimit të nxënësve në të gjithë proceset edhe në testimin e arritshmërisë, por edhe në organizimin e testit të maturës gjithsesi.

“Në Gjilan gjithmonë testimi është mbajtur me përgatitjet e nivelit më të lartë të mundshëm dhe gjithçka ka shkuar mirë, në bazë të konfirmimit edhe nga komisionerët, menaxherët e qendrave dhe administruesve. Gjithçka është qetë dhe organizimi është në nivelin më të lartë të mundshëm. U shprehim urime maturantëve dhe suksese edhe në studime gjatë të ardhmes”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Hysein.

Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, tha se në këtë afat të testimit janë bërë të gjitha përgatitjet me kohë dhe në nivelin më të mirë të mundshëm në bazë të protokollit që e parasheh organizimin e testimit dhe nuk ka asnjë vërejtje të evidentuar.

“Uroj të gjithë nxënësit që testimin ta kalojnë pa stres dhe pa shqetesim sepse ky është proces i vleresimit të njohurive dhe shkathtësive të tyre dhe njëkohësisht është pragu i vazhdimit të tyre drejt Universiteteve që njëkohësisht është orientim në karrierën e tyre profesionale. Në testim janë përpos nxënësve shqiptarë edhe nxënës të komunitetit turk, të cilët njëkohësisht janë duke iu nënshtruar testimit”, ka thënë drejtori Gagica.

Nga ana e sa, edhe Shpresa Hyseni nga Ministria e Arsimit, e ka përgëzuar Komunanen e Gjilanit për organizimin derisa ka bërë të ditur se gjithçka ka shkuar siç është më së miri dhe pa asnjë vërejtje.

Drejtori i gjimnazit “Xhavit Ahmeti”, Bekim Mustafa, tha se duke ditur nivelin e përgatitjeve që nxënësit e Gjilanit kanë treguar vazhdimisht edhe këtë vit besojmë se sukseset në nivel të komunave Gjilani të jetë sa më lartë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat