Ish-kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ka reaguar pas arritjes së koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.
Haziri tha se ky koalicion nuk është vullnet i qytetarëve por i funksionarëve.
Ai theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të jetë gardiane e interesave të qytetarëve të Gjilanit.
“Pas zgjedhjes së kryesuesit të ri të Kuvendit Komunal të Gjilanit, në emër të LDK-së, iu dëshiroj suksese në punë në interes të qytetarëve. LDK është partia më e madhe në Kuvend dhe do të sillet si e tillë. Besimin e qytetarëve do ta shtyjmë përpara si opozitë në bashkëpunim me të gjithë”.
“LDK ka qenë dhe do të mbetet gardiane e interesave të qytetarëve të Gjilanit. VV ka zgjedhur partnerët politikë dhe ky është vullnet i funksionarëve e jo qytetarëve!”.
Sot është zgjedhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal në Gjilan.
Këtë post për katërvjet do ta ketë Arianit Sadiku, i Vetëvendosjes.
Zgjedhja e tij u arrit edhe me përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës.
PDK në qeverisjen komunale në Gjilan do të ketë postin e nënkryetarit dhe katër drejtori.