Hyseni flet në akademinë për dëshmorët e UÇPMB-së: Veç të bashkuar ne shqiptarët mund të ecim përpara

Gjilani

Hyseni flet në akademinë për dëshmorët e UÇPMB-së: Veç të bashkuar ne shqiptarët mund të ecim përpara

Më: 21 prill 2022 Në ora: 19:51
Alban Hyseni

Nën patronatin e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni e në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, sot në Gjilan është mbajtur akademi përkujtimore për dëshmorët e kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari Alban Hyseni, ka thënë se jemi mbledhur sot për të shënuar një datë të rëndësishme nga e kaluara jonë e lavdishme dhe e mbushur me data heronjsh.

Ditë e veçantë është kjo e sotmja e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ka thënë kryetari Hyseni.

Kauzës kombëtare për bashkim, si ideal i çdo shqiptari nëpër kohëra e rrethana të ndryshme iu përgjigjen edhe luftëtarët tanë nga të gjitha trevat shqiptare në luftën e fundit.

E nisëm me Drenicën, për t`u shpërndarë pastaj nëpër të gjithë Kosovën dhe e vazhduam me Luginën, me qëllim për të çuar amanetin e dëshmorëve deri në fund.

Organizimi i udhëhequr nga dëshira për çlirim e bashkim, siç ishte edhe vetë betimi i luftëtarit, kishte përballë një regjim ushtarak.

Lufta nuk ishte e barabartë, as në armatim dhe as në përgatitje, por guximi për t`u përballur sfidonte pabarazinë. Radhët po shtoheshin e vullneti por rritej.

Lufta nuk ishte mjeti që ne kishim zgjedhur me dëshirë, por ishte nevojë për t`u mbrojtur nga shtypja që sa vinte e shtohej.

Një popull i shpërndarë padrejtësisht nga pushtuesit kërkonte lirinë e mohuar e të munguar në tokën e vetë, në vendin e të parëve.

Kufijtë që na ndanin padrejtësisht, ishte koha që të binin, sepse shqiptarët ishim bashkuar rreth vetëm një qëllimi.

Fati ynë si komb ishte përsëri në dorën e të tjerëve dhe e drejta për vetëvendosje nuk na u njoh edhe kësaj radhe.

Presheva dhe Bujanoci tani përballen me një formë tjetër të spastrimit më të avancuar se lufta. Vendbanimet shqiptare po zbrazen vazhdimisht dhe kjo rëndon në ndërgjegjet tona në pamundësi për ta ndalur.

Padrejtësitë dhe pabarazitë sot i gjejmë në Preshevë e Bujanoc. Janë shumë pranë nesh, janë te vëllezërit tanë.

Shtypja u është mbivendosur prapë, dy dekada pas në kohë, pasi prindërit humbën bijtë dhe bijat më të mira të tyre, pasi fëmijët mbeten jetimë e gratë mbeten të veja.

Ata ranë në ditët më të mira për të mos u harruar kurrë. Sa herë që nderojmë dëshmorët, ne kujtojmë amanetin e tyre, që është udhërrëfim për ne, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai ka vënë në pah nevojën e domosdoshme që shqiptarët të jenë bashkë, sepse vetëm kështu mund t`i përballojnë e sfidojnë pengesat përgjatë rrugëtimit të vështirë historik si komb.

“Veç të bashkuar, ne shqiptarët mund të ecim përpara”, ka thënë kryetari Hyseni.

Fjalë rasti në këtë akademi kanë mbajtur edhe Mustafë Shaqiri, ish-zëvendës komandat, Fetah Paçarizi, ish-bashkëluftëtar dhe Sabile Bajrami, në emër të familjeve të dëshmorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat