Një fëmijë dy vjeçar ka humbur jetën ditën e diel në Gjilan, ndërsa lidhur me rastin është duke u marrë prokuroria.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini ka konfirmuar se trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Ju njoftojmë se për këtë rast me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në mënyrë që të përcaktohen rrethanat e vdekjes”, tha ajo.
Ndërkaq, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini më herët konfirmoi se fëmija ishte dërguar në spital pa shenja jete.
Sipas tij, fëmija nuk ka pasur ndonjë traumë apo shenjë të dhunës fizike, mirëpo siç tha ai nga mjeku kujdestar është cilësuar si vdekje e dyshimtë.
“E vërtetë është sjellë një fëmijë pa shenja jete në spital. Nuk ka pasur të dhëna prej familjarëve që ka qenë e sëmurë. Përveç, familjarët që e kanë përmend që ka pas një plogështi dhe si duket sipas tyre e kanë gjetur në dhomë të vdekur. Është sjellë në spital pa shenja jete, nuk ka pas shenja të traumës apo të dhunës fizike. Prej mjekut kujdestar kjo është vlerësuar si vdekje e dyshimtë. Janë lajmëruar policia dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML”, ka thënë Emini për telegrafin.
Lidhur me rastin, policia njoftoi sot se po vazhdojnë me hetimet.