Ka dështuar të mbahet sërish seanca e radhës e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi opozita (LDK-AAK) ka lëshuar sallën nën arsyetimin se Komuna e Gjilanit nuk ka siguruar transmetim medial, siç ka qenë në të kaluarën.
Opozitës nuk i ka mjaftuar transmetimi në kanalin zyrtar youtube dhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook. Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së dhe Nazim Gagica, shef i AAK-së, kanë kritikuar Komunën për mungesë transparence e bashkëpunimi.
“Pa transmetim medial nuk mund të vazhdohen punimet”, janë shprehur ata.
Ndërkohë, asambleisti i VV-së, Ismajl Kurteshi, ka thënë se ka kërkuar zyrtarisht interpretim nga MAPL lidhur me situatën e krijuar, duke shtuar se ka marrë përgjigje se “Komunat janë të obliguara që të sigurojnë qasje aktive të teleprezencës ose të përdorin edhe platforma të tjera në mënyrë që të sigurohet transparencë për qytetarët dhe monitorim nga Ministria, ashtu siç është përcaktuar me udhëzimin administrativ për administratë të hapur. Por, mungesa e teleprezencës nuk përbën shkak për mos-mbajtje të mbledhjeve”.
Ai tha se mosprezenca e kamerave televizive nuk përbën shkak për të mos u mbajtuar seancat e Kuvendit Komunal, duke shtuar se tashmë kanë pushuar arsyet e LDK-së dhe PDK-së për të cilat ata kanë menduar se kanë të drejtë që të mos mbahen seancat.
Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, ka thënë se për mbajtjen e mbledhjeve të radhës do të ketë njoftim me kohë.
Përndryshe, sot ishin paraparë të mbahen dy seanca, vazhdimi i seancës se katërt, e cila është ndërprerë një muaj më parë dhe seanca e pestë me këto pika:
Raporti financiar per periudhen Janar-Mars 2024, Rishqyrtimi i Vendimit për ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit 01.nr.016-35193 të datës
31.03.2022 për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Politikë dhe Financa të Kuvendit të Komunës së Gjilanit (këkesë e MAPL), Plani Lokal i Veprimit për Cilësi të Ajrit, Emërimi i Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, Emërimi i Komisionit për përcaktimin e Listës së lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, Busteve dhe simboleve, brenda territorit të Komunës së Gjilanit, Emërimi i Këshillit Komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, Informatë rreth Manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2024, Informatë rreth mbjelljeve pranverore, Diskutim rreth ngritjes së kujdesit institucional për grupet e Margjinalizuara, Diskutim rreth organizimit të trafikut publik brenda qytetit të Gjilanit, Raporti i punës i Komisionit për zgjedhjen e Këshillave Lokale, Informatë rreth projektit të rrugës “Hamdi Kurteshi.
Po ashtu, Kuvendi do të duhej të diskutojë edhe për Vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për Komunën e Gjilanit, Raportin e punës për vitin 2023 të Komisionit Komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe Ndryshimin dhe plotësimi i vendimit nr. 016-20437 të datës 23.02.2023 për formimin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emertimit të rrugëve dhe numërimit të adresave për territorin e Komunës së Gjilanit (propozim i shoqatës “Ali Hadri”).