Një qytetar nga Gjilani ka shprehur shqetësimin e tij në platformën ndreqe.com, ku ka thënë se disa mbetje të punimeve nga kompania kontraktuese ‘Hidromorava – Teuta M’, po qëndrojnë tash e dy muaj në vendin ku kanë bërë një ndërrim të gypit të ujësjellësit.
Media ka kontaktuar me kompaninë kontraktuese dhe kjo e fundit ka konfirmuar se nuk janë mbetje të punimeve, por zhavor.
“Po iu konfirmojmë që kompania jonë ka punuar aty, nuk janë mbetje të punimeve, mirëpo është zhavor”, kanë thënë për telegrafin.
Kompania thekson se projekti ka paraparë që do të bëhen edhe kyçjet shtëpiake dhe është lënë zhavori anash, sepse sipas tyre do të përdoret përsëri.
Punimet janë duke u bërë në një zonë urbane dhe sipas tyre janë ndërprerë për shkak të ardhjes së mërgimtarëve.
“Me projekt është paraparë që do të bëhen edhe kyçjet shtëpiake dhe është lënë zhavori anash që të përdoret prapë kur të hapen kanalet për kyçje shtëpiake, mirëpo për arsye që tani ka shumë banor të ardhur nga diaspora dhe punët kanë të bëjnë në zonë urbane, janë ndërprerë punimet përkohësisht”, kanë theksuar nga kompania.
Ndryshe, nga kompania thonë se qysh sot do të dalin ta largojnë zhavorin deri kur të fillojnë prapë punimet.