2.5 milionë euro rrezikohet t’i humb Komuna e Gjilanit për shkak të bllokimit të të hyrave vetanake nga Kuvendi komunal. Kështu ka deklaruar i pari i kësaj komune, Alban Hyseni.
Në një intervistë për Kp, ai thotë se ende vazhdojnë të përballen me sfida të trashëguara nga qeverisjet e kaluara, derisa shton se duhet të votohet bartja e buxhetit, në të kundërtën këto fonde nuk mund të shpenzohen për të mirën e qytetarëve.
Hyseni: 2.5 milionë euro rrezikojnë të na humbin ose të mos shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve
“Ndërkohë edhe për këtë vit problemin më shumë e kemi me Kuvendin komunal që na ka bllokuar të hyrat vetanake nga viti paraprak për këtë vit dhe është tash muaji i pestë që nuk na voton bartjen e buxhetit, me të cilën 2.5 milionë euro rrezikojnë të na humbin ose të mos shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve në projekte kapitale, subvencione dhe kategori të ndryshme të buxhetit”, thotë Hyseni.
Hyseni gjithashtu theksoi sfidat e shumta me të cilat përballet kjo komunë, përfshirë borxhet e trashëguara dhe problemet me implementimin e projekteve të mëparshme.
Hyseni: Sfidë me të cilën jemi përballur është edhe çështja e borxheve që kemi trashëguar
“(Sfida) ka të shumta e të panumërta. Një prej sfidave me të cilat jemi përballur dhe vazhdojmë të kemi ende me gjithë se jo në nivelin e njëjtë është edhe çështja e borxheve që kemi trashëguar. Janë mbi 10.5 milionë euro që brenda këtij viti do të bëhen total të paguara nga qeverisja jonë për tre vite me radhë. Ndërkohë që sfidat tjera kanë të bëjnë edhe me implementimin e projekteve që i kemi trashëguar, hyrje-daljet e qytetit, autostrada dhe projekte të shumta të cilat po vazhdojmë të ballafaqohemi me probleme të ndryshme, me kontrata të vjetra që pas inflacionit po bëhen të vështira të realizohen por edhe defekte në projekte, mungesa të planifikimeve e kështu me radhë”, tha ai.
Megjithatë, Hyseni thotë ka edhe rezultate të shumta të cilat mund të maten në këtë komunë, derisa tregon për punën që kanë bërë prej marrjes së mandatit.
Hyseni: Ka rezultate të shumta të cilat mund të maten në komunën tonë
“Ka rezultate të shumta të cilat mund të maten në komunën tonë. Kemi gjithsej 12 sektorë të ndarë nëpër drejtori që funksionojnë, ndërkohë që prioritet për ne ka qenë arsimi, shëndetësia dhe fushat e tjera, ndërkohë që edhe bujqësia është një prej sektorëve që është përkrahur shumë. Në vitin 2021 planifikimi i buxhetit dhe votimi nga ish qeverisja ka qenë 400 mijë euro, me të cilin ne kemi punuar në vitin 2022. Ndërkohë viti 2022 ka qenë vit planifikimi për ne për vitin 2023 me të cilin kemi punuar ne me buxhetin tonë dhe nga 400 mijë kemi rrit buxhetin në 800 mijë euro, ndërkohë përmes organizatave tjera kemi rrit buxhetin edhe për 700 mijë të tjera që i bie 1.5 milion."
Ndërkaq, sa i përket bashkëpunimit me qeverinë, ai shprehet se janë të kënaqur.
Hyseni: Jemi të kënaqur me bashkëpunimin me qeverinë, nuk kemi ndonjë telash të veçantë
“Jemi të kënaqur, nuk kemi ndonjë telash të veçantë, sigurisht që kërkesat dhe nevojat janë shumë të mëdha, mirëpo praktikisht aty ku janë të arsyeshme, mbështetja është edhe në nivel”, thotë Hyseni.