Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka njoftuar se është furnizuar me doza shtesë të HPV vaksinës kundër virusit papilloma human, që është shkaktar i kancerit të qafës së mitrës.
Përmes një komunikate të lëshuar për media bëhet e ditur se furnizimi është bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik jemi furnizuar me doza shtesë të HPV vaksinës kundër Human papilloma virusit që është shkaktar i kancerit të qafës se mitrës”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se këto doza janë të parapara për vajzat e moshës 13 deri në 21 vjeç.
“Këto doza janë të parapara për vajzat e moshës 13 deri 21 vjeç. Pra, përveç vaksinimit të rregullt me HPV vaksinë i cili do të bëhet çdo vit tek vajzat e klasave të gjashta, tani u krijua mundësia që edhe vajzat e moshave 13 deri 21 vjeç të marrin këtë vaksinë”, thuhet tutje në njoftim.
Nga QKMF potencojnë se vaksina ka shkallë të lartë të efikasitetit dhe sipas tyre nuk ka efekte anësore.
QKMF u bënë thirrje prindërve që t’i sjellin vajzat për vaksinim, derisa theksojnë se vaksinimi do të bëhet në shërbimin e vaksinimit, gjatë ditëve të punës.
“Ftojmë prindërit që t’i sjellin vajzat e tyre për vaksinim me këtë vaksinë shumë të rëndësishme dhe efikase. Vaksinimi i vajzave të moshës 13 deri 21 vjeç do të bëhet në Shërbimin e vaksinimit, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, ditëve të punës nga ora 07:00 – 20:00”, thuhet në njoftim.