Lidhja Demokratike e Kosovës – dega në Gjilan, ka mbajtur konferencë për media ku kanë paraqitur shqetësimet e qytetarëve në lidhje me ngecjet në zhvillimin ekonomik në Gjilan.
Sipas tyre, kjo udhëheqje komunale nuk ka arritur as pas tri viteve të tejkalojë punën praktike në udhëheqjen komunale, duke theksuar se po vazhdon t’i humb mundësinë e zhvillimit dhe mirëqenies qytetarëve të Gjilanit.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Ndërmarrësi dhe Agrikulturë, Fidan Qerimi ka thënë se metoda e përdorur për identifikimin, vlerësimin, trajtimin dhe monitorimin e rreziqeve është kopjuar dhe sipas tij nuk po adresohet në mënyrë profesionale.
Qerimi tha se udhëheqja komunale duhet të krijoj një qasje të strukturuar dhe të detajuar për t’u siguruar se secili problem i qytetarëve të adresohet në mënyrë efektive.
“Vlerësoj se kjo mënyrë e reagimit nga komuna është e pamjaftueshme dhe shumë e paqartë. Duhet që udhëheqja komunale të krijojë një qasje të strukturuar dhe të detajuar për tu siguruar se secili problem komunal/qytetar të adresohet në mënyrë efektive”, tha Qerimi, duke kërkuar që buxheti komunal të përdoret në mënyrë optimale për të përmbushur nevojat e qytetarëve.
“Pastaj, buxheti komunal të përdoret në mënyrë optimale për të përmbushur nevojat e qytetarëve, e jo të ndikohen politikisht për qëllime të përfitimeve individuale e aq më pak të keqpërdorimeve”, ka thënë ai.
Po ashtu, LDK thotë se në kuadër të furnizimit me mallra dhe shërbime në kohë të duhur, brenda buxhetit dhe cilësisë adektuate për të përmbushur caqet operative të komunës, janë evidentuar disa mungesa.
“Mungesë e buxhetit, mallrat dhe shërbimet nuk janë sipas kontratës, ka neglizhencë ose veprime të qëllimshme, dërgim i faturave nga drejtoritë përkatëse te zyra e financave me vonesë, mungesa e dokumenteve mbështetëse për kryerjen e pagesave”, tha Qerimi.
Tutje, në Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik, sipas LDK-së janë evidentuar disa mungesa.
“Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal – ku po humben 4 vjet pa një orientim strategjik të zhvillimit ekonomik, mungesa e projekteve të reja/investimeve – kjo tregon se qeverisja nga praktikantët nuk ka qenë në gjendje të krijojë projekte investive, mosgatishmëria e krijimit të grupeve të interesit, për bashkëpunim në përgatitjen e strategjisë zhvillimore lokale, tregon se Komuna e Gjilanit ka një qeverisje e ngushtë, duke përjashtuar çdo komunitet biznesor”, kanë theksuar nga LDK.
“Mos mundësia e aplikimit në projekte në fondet IPA apo cilin do fond që financohet nga Bashkimi Evropian apo edhe SHBA-të, duhet të ketë ekspertizë dhe llogaridhënie, e që kjo i ka munguar Komunës së Gjilanit. Kjo faktohet nga raportet e transparencës, ku po citoj Raportin e KDI-së i cili thotë: “Sipas gjetjeve të Transparometrit Komunal për vitin 2023, Komuna e Gjilanit është vlerësuar me 39 pikë gjithsej nga 100 pikë maksimale”, Mungesa e zonës ekonomike – është premtim i pa realizuar dhe nuk do të mund të bëhet në këtë mandat”, thanë tutje nga LDK.
Gjithashtu, LDK-ja thekson se Komuna e Gjilanit është përfituese e projektit për efiçiencë energjetike nga Fondi i Mileniumit, por që sipas tyre ky projekt është me vonesë dy vjeçare.
“Komuna e Gjilanit është përfituese e projektit për efiçiencë energjetike nga Fondi i Mileniumit falë aplikimit të suksesshëm nga qeverisja komunale e LDK-së. Ky projekt ka pasur në program izolimin dhe standardizimin e 10 shtëpive nga Fondi dhe 40 shtëpi të tjera do të duhej që të përfundohen me fonde vendore. Fatkeqësisht ky projekt është me vonesë dyvjeçare”, kanë thënë nga LDK.