Policia ka njoftuar se nga 27 korriku deri më 30 korrik në tetë raste të ndara janë hasur persona të dyshuar duke bërë gara ilegale shpejtësie.
Ata janë gjobitur.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Stacioni Policor Gjilan duke parë se dukuria e garave ilegale në trafikun rrugor është duke vazhduar edhe përkundër apeleve të shumta që janë bërë dhe masave preventive në parandalim të tyre, vetëm gjatë periudhës kohore 27.08.2024 deri me 30.08.2024 si rezultat i angazhimeve operative në terren në qytetin e Gjilanit, në tetë (8) raste të ndara janë hasur persona të dyshuar me automjete duke bërë gara ilegale të shpejtësie. Ndaj këtyre kundërvajtësve janë shqiptuar gjoba për secilin veç e veç në vlerë prej katërqind (400) euro, katër (4) pikë negative dhe masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike në afat prej dhjetë (10) muajsh, konform nenit 51, paragrafi 5 i ligjit për rregullat në trafikun rrugor.”
Po ashtu janë identifikuar edhe tetë raste të tjera ku kundërvajtësit kanë bërë nisje të vrullshme të automjeteve, vozitje të rrezikshme.
“Po ashtu janë identifikuar edhe tetë (8) raste të tjera ku kundërvajtësit kanë bërë nisje të vrullshme të automjeteve, vozitje të rrezikshme etj. Ndaj këtyre kundërvajtësve për secilin veç e veç janë shqiptuar gjoba në vlerë prej njëqind e pesëdhjetë (150) euro dhe nga një (1) pikë negative.”
“Gjatë implementimit të këtij plani tek dy kundërvajtës të lartcekur në dy raste të ndryshme është gjetur dhe konfiskuar substancë narkotike, për të cilën është iniciuar rasti ,,Posedim i paautorizuar i substancave narkotike” si dhe në rastin tjetër është konfiskuar një (1) armë pistoletë e llojit “TT” me tetë (8) fishekë, për të cilën është iniciuar rasti ,,Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.”
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan APELON tek të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në sigurinë e trafikut rrugor duke bashkëpunuar në parandalimin e këtyre dukurive, dhe raportimin me kohë për çdo informacion që kanë për persona apo grupe që planifikojnë të organizojnë gara. Mbajta e garave ilegale rrezikon seriozisht sigurinë e të gjithë atyre që janë pjesë e trafikut rrugor, andaj mos hezitoni, të raportoni dhe të jepni kontributin tuaj për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik pa dallim.”