LDK në Gjilan: Ky fillimvit shkollor do të mbahet mend si vit në të cilin komuna nuk ka investuar as edhe një cent

Gjilani

LDK në Gjilan: Ky fillimvit shkollor do të mbahet mend si vit në të cilin komuna nuk ka investuar as edhe një cent

Më: 2 shtator 2024 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan, ka mbajtur konferencë për media në lidhje me fillimin e procesit mësimor, duke listuar disa nga shqetësimet e tyre që sipas tyre po ndodhin në qeverisjen aktuale lokale.

Komisioni për Arsim i LDK-së në Gjilan, gjegjësisht anëtarja e këtij komisioni, Arbresha Aliu dhe anëtarja e Kuvendit Komunal, Drenusha Maloku, kanë thënë se qeverisja aktuale lokale nuk ka investuar as edhe një cent nëpër shkolla për këtë fillimvit shkollor 2024-2025.

Fillimviti shkollor 2024 -25 do të mbahet mend si vit në të cilin komuna nuk ka investuar as edhe 1 cent të vetëm në rinovimet e nevojshme elementare të shkollave sipas kërkesave nga shkollat. Kështu nëpër disa shkolla të qytetit kanë dështuar rinovimet në nyjet sanitare, gjendja në ato shkolla vazhdon të jetë e rëndë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Nga LDK thonë se të lënë pas dore janë edhe shkollat në vendbanimet rurale.

“Shkollat në vendbanimet rurale janë lënë pas dore dhe nëse vazhdohet kështu nuk do të mbeten nxënës nëpër këto vendbanime”, kanë thënë nga LDK, duke theksuar se programi për efiçiencë në shkollat e fshatrave Pogragjë, Bresalc dhe Livoq i Ulët ka ngecur që nga viti 2020.

“Programi për, i efiçiencë në shkollat e fshatrave Pogragjë, Bresalc dhe Livoq i Ulët nënshkruar me 10 shtator 2020 në qeverisjen e LDK me Banken Gjermane, kanë ngecur si mungesë e aftësisë menaxhuese të projektit nga ana e Kryetarit të Komunës. Këto projekte është dashur tani të jenë të realizuara. Është për turp me i pa vetëm nga jashtë shkollat e këtyre vendbanimeve”, thanë tutje nga LDK.

Mes tjerash, sipas LDK-së, shqetësues është gjendja edhe në shkollën e fshatit Uglarë, ku sipas tyre gjatë sezonës së dimrit, mësimdhënssit kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të lagështisë.

“Edhe më shqetësuese është gjendja e shkollës në fshatin Uglarë. Aty vitin e kaluar gjatë sezonës së dimrit ka pasur mësimdhënës, të cilët kanë dalë nga mësimi për të marrë trajtim mjekësor për shkak të lagështisë e cila krijohet nga mos izolimi i kulmit të shkollës”, thuhet tutje.

LDK thotë se është ma mirë të investohet tani me mundësitë aktuale, sesa më vonë të investohet pa vlerë.

Në shkollat e vendbanimeve rurale përveç arsyjeve tjera, edhe mungesa e investimeve në shkolla po e bënë të rëndë jetën dhe po e shtyn popullatën të migrojë. Më mirë të investojmë tani me mundësitë që kemi se sa më vonë të investojmë pa vlerë”, thanë LDK.

Ndërsa, sa i përket formës së furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, LDK thotë se ka shprehur shqetësimet e tyre vazhdimisht.

“Për formën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore kemi shprehur shqetësimet tona vazhdimisht. Inatet dhe injoranca e MASHT-it dhe e të parit të ekzekutivit, po rrisin edhe më tej idenë jokonformiste të furnizimit me tekste, duke mos përfillur opinionin qytetar në përgjithësi për formën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore”, thanë nga LDK.

Komisioni për Arsim i LDK-së thotë se do t’i mbajë të informuar qytetarët për dëmet që do të shkaktojë kjo formë e subvencionimit me tekste shkollore, duke paraqitur me shifra numrin e nxënësve që kanë mbetur pa tekste.

LDK, qeverisjen aktuale lokale e quan të pavetëdijshme dhe të papaërgjeshme për furnizimin e teksteve shkollore.

“Nuk kemi se si ti quajmë ndryshe pos të pavetëdijshëm dhe të papërgjegjshëm për furnizimin me kohë dhe sa më të lehtë të nxënësve me tekste shkollore.  Nga këto inate nuk pëson asnjë subjekt politik por pësojnë nxënësit dhe prindërit”, thanë tutje.

Ndër të tjera, nga LDK listuan edhe shqetësime të tjera që kanë të bëjnë me sektorin e arsimit në Komunën e Gjilanit.

Ndërhyjet politike në konkursin për plotësimin e vendeve të lira të punës në arsim, mungesa e investimeve në infrastukturën shkollore, furnizimi i nxënësve me tekste shkollore, janë disa nga shqetësimet të cilat i kanë qytetarët tanë”, thanë nga LDK gjatë konferencës.

LDK thotë se ndikimi nga deputetët e Vetëvendosjes në emërimin e komisionit, përveç që ishte çështje kryesore pse drejtoresha e arsimit dha dorëheqje, sipas tyre, ky ndikim ka bërë që të anashkalohen qysh në fillim kriteret e themelimit të komisionit për mbikqyrjen e procedurave të rekrutimit sipas UA. MFPT nr. 01/2024.

Tutje, LDK liston tutje edhe disa nga parregullësitë që sipas tyre janë bërë nga qeverisja aktuale lokale.

“DKA ka shkelur këtë udhëzim administrativ në Nenin 24 pika 2, duke i përjashtuar nga përbërja e komisionit eprorin- mbikqyrësin e pozitës që është shpallur në konkurs, pra ka përjashtuar drejtorët e shkollave. Asnjë nga anëtarët e Komisionit nuk përmbush këtë pikë kryesore të udhëzimit administrativ. Përjashtim tjetër nga komisioni ka bërë edhe për zyrtarin e burimeve njerëzore. Asnjë anëtar i Komisionit nuk është zyrtar i njesisë për burime njerëzore. Skandali nuk përfundon me kaq”, thanë nga LDK.

Sipas LDK-së, nxitimi për të punësuar njerëz militantë të VV-së është bërë trend i kryetarit të komunës.

Vlersojmë se nxitimi për të punësuar njerëz militantë të VV-së, pa e aftësuar objektin tani më është trend i Kryetarit të Komunës, të cilit veç i ka hyrë frika e humbjes së pushtetit dhe këtë frikë ne nuk ia largojmë dot”, thuhet tutje në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat