Prodhimi dhe kultivimi i grurit e misrit, si dy prej kulturave jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë e vendit, vazhdon të mbështetet nga Komuna e Gjilanit.
Bajram Isufi, drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë, tha se prioritet ndër pritoritete e kanë prodhimin foragjer, me theks të veçantë prodhimin dhe kultivimin e grurit dhe misrit, si dy prej kulturave jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Më tej drejtori i Bujqësisë, tregoi se në këtë vit 638 fermerë gjilanas përfituan 1000 thasë farë misri dhe 2000 thasë pleh artificial, të mjaftueshme për mbjelljen e sipërfaqes e 500 hektarëve dhe 200 tonë farë gruri për mbi 800 fermerë.
“Jemi një ndër komunat e vetme që e subvencionojmë farën e misrit dhe farën e grurit në nivel të Republikës së Kosovës”, tha Bajram Isufi.
Sipas tij edhe Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit, ka dyfishuar subvencionet për këto dy kultura bujqësore.
“Kemi paraparë mbështetje për fermerët në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe kemi prioritet të vazhdueshëm në rritjen e mirëqenies së tyre në çdo aspect”, tha Isufi.
Drejtori i Bujqësisë, theksoi se së bashku me kryetarin e komunës Alban Hysenin, nga i cili kanë përkrahjen e plotë në të gjitha kërkesat që vijnë nga drejtoria, do të jenë gjithmonë afër fermerëve, për t’i subvencionuar, trajnuar, këshilluar ata me të gjitha kapacitetet komunale.