Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme me medie, pas mbledhjes së Komitetit për Politikë dhe Financa, pasi nuk janë rekomanduar tri projekte të rëndësishme, ai i raportit gjashtëmujor të kryetarit, raporti financiar për periudhën janar-qershor 2023 dhe projekt-propozimi për buxhetin e vitit fiskal 2025.
Hyseni cilësoi se Komuna e Gjilanit po përballet me bllokada serioze, të cilat po pengojnë zhvillimin e projekteve kyçe dhe realizimin e detyrimeve ligjore.
“Këto janë shqetësime shumë serioze, kjo bllokada që po i shkaktohet ekzekutivit me qëllim të përfitimit politik, barrën e bart në kurriz të qytetarëve në kurriz të zhvillimit të qytetit tonë dhe unë konsideroj që konferenca e jashtëzakonshme është minimumi çfarë ne mund të bëjmë për të treguar se cfarë po ndodhë në komunën tonë”, ka thënë Hyseni.
Fillimisht, Hyseni përmendi mos votimin e bartjes së buxhetit nga vitit 2023 në vitin 2024, ku tha se që nga muaji shkurt e deri tash, bartja nuk është votuar ende.
“Në mbledhjen e fundit të KPF-së është votuar që kjo pikë të futet në rend të ditës, me çrast vazhdohet të rrezikohet që 2.5 milionshi I vitit 2023 të humbet tërësisht në fund të vitit 2024, dhe thuajse është e pamundur që të shpenzohen këta mjete nëse edhe këtë muaj nuk bëhet votimi për bartjen e tyre”, ka thënë tutje ai, duke theksuar se këto mjete nuk kanë arritur t’i shpenzojnë gjatë vitit 2023.
“Pra, me mbetjet e buxhetit komunal për vitin 2023, përgjegjësi për të cilin ne e kemi marrë përsipër dhe nuk kemi arritur t’i shpenzojmë ato mjete, kemi kërkuar bartjen e tyre për këtë vit. Që nga muaji shkurt e deri në këtë muaj, nuk po bëhet bartja e këtij buxheti”, ka theksuar
Hyseni i përmend edhe dy situata të tjera, derisa thotë se edhe raporti gjashtë mujor i punës së kryetari të komunës dhe ai financiar, nuk janë votuar nga KPF.
“Dy situata të tjera i kemi me raportin gjashtë-mujor të punës së kryetarit të komunës, e cila nuk ka mundur asnjëherë të mbahet për shkak të mos mbajtjes së seancave, ndërkohë që për raportin financiar gjashtë-mujor po ndodhë e njëjta nuk janë votuar në KPF që të futen si pika të rendit të ditës për seancën e ardhshme”, ka thënë tutje Hyseni.
Sipas tij, pasojat e kësaj janë që komuna edhe institucionet lokale vlerësohen në bazë të raportit të performancës dhe raportit të kryetarit të komunës.
“Pasojat e kësaj janë që komuna edhe institucionet tona lokale vlerësohen në raportin e performancës, edhe përmes raportimit të kryetarit të komunës në Kuvendin Komunal sepse dy herë në vit, çdo gjashtë muaj është obligim ligjor që kryetari i komunës t’i bëjë dy raportime”, ka thënë ai.
Mes tjerash, Hyseni thekson edhe pikën e fundit për themelin e Inkupatorit të Biznesit, e që sipas tij as ky i fundit nuk është votuar.
Ai potencon se ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik lokal.
“Në anën tjetër, e kemi edhe pikën e fundit për themelin e Inkupatorit të Biznesit, ne kemi filluar the inicuar themelimin e zonës ekonomike në Gjilan, një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik lokal dhe tani plani zhvillimor lokal na është kthyer me rreth 40 rekomandime, ku është praktikisht I njëjti dokument që ka shkuar në vitin 2021, ku në këtë vit u pati kthyer me vetëm një vrejtje”, ka potencuar ai.
Hyseni thotë se pavarësisht informimit në Kuvend Komunal se nga dakordimi me ministren Hajdari, që nëse votohet projekti, mund të fillojnë punët për realizimin e projektit, mirëpo sipas tij, duhet vetëm akti i themelit të këtij vendimi nga Kuvendi Komunal.
“Pavarësisht kësaj, në takimin që e kemi pasur në muajin e kaluar unë iu kam tregu se jemi dakorduar me ministren Rozeta Hajdari që nëse votohet nga Kuvendi Komunal vendimi për themelim të inkupatorit të biznesit, dhe si përfundim na duhet vetëm akti i themelit inkupatorit të biznesit nga Kuvendi Komunal në mënyrë që të aplikojmë për licencim dhe fondet I kemi të garantuara për të filluar punimet”, ka thënë ai.
Tutje, sipas Hysenit të gjitha këto pika që janë refuzuar nga Komiteti për Politikë dhe Financa, komuna është në një situatë ku po shkaktohet bllokadë totale.
“Pra të gjitha këto pika janë refuzuar nga komiteti për politikë dhe financa, tash jemi në një situatë ku po shkaktohet bllokadë totale për komunën tonë dhe qytetin tonë. Praktikisht, po na humbin 2 milionë e gjysmë, nuk po votohet buxheti për vitin që vjen, raportet mujore, obligimet ligjore që i kemi ndaj kuvendit po na bllokohen dhe e fundit po bllokohet inkupatori i biznesit”, ka thënë tutje Hyseni.
Vlen të theksohet se sot në seancën e mbajtur të Kuvendit Komunal, pozita pati përkrahjen e PDK-së, AAK-së, mirëpo votuan kundër tre përfaqësuesit e LDK-së si dhe së fundmi edhe kryesuesi i KPF-së, që është edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal.
Ndryshe, Hyseni tha se janë në përgaditje të një shkrese për t’i ftuar subjektet politike për të biseduar më tutje dhe për ta kaluar krizën e mosmarrëveshjes rreth buxhetit. Por, i njëjti mendon se opozita nuk do të jetë e qasshme për diskutim.
“Ne jemi në përgaditje të një shkrese ku do ta bëjmë publike të cilën do tia dërgojmë subjekteve politike, që të vijnë e të diskutojmë për këtë punë, mirëpo nuk shoh që ka vullnet për diskutim. Nuk besoj që do të vijnë këtu sepse do të gjejnë arsye”, ka përfunduar ai.