LDK në Gjilan i kërkon GAP-it të bëjë rivlerësim për premtimet e kryetarit Hyseni

Gjilani

LDK në Gjilan i kërkon GAP-it të bëjë rivlerësim për premtimet e kryetarit Hyseni

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 16:41
LDK

Dega e LDK-së në Gjilan po e akuzon kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, për dezinformim në raportin e GAP-it.

Në një konferencë të sotme për media, kryetari i Forumit të Rinisë të LDK-së në Gjilan dhe anëtari i Kuvendit Komunal të kësaj komune, Gentrit Murseli, ka paraqitur para mediave, siç thuhet, “dezinformimin e paprecedent që Komuna e Gjilanit ka bërë tek Instituti GAP, për të gënjyer opinionin publik për premtimet e tij të realizuara”.

Ai tha se shumica e premtimeve të cilat cilësohen si të realizuara tek Instituti GAP, “në fakt janë informata të pavërteta të dërguara nga Komuna e Gjilanit”.

Murseli i renditi premtimet të cilat, sipas tij, cilësohen të realizuara: “Transparencë për të gjitha veprimet e administratës komunale; Respektim i Ligjit të Prokurimit Publik; Fillimi i ndërtimit të Stadiumit të Qytetit në Gjilan; Fillimi i rinovimit të Palestrës ‘Bashkim Selishta- Petriti’; Përmirësimi i infrastrukturës brenda Teatrit të Qytetit- Gjilan, në vlerë prej 50.000€; Fillimi i ndërtimit të zonës ekonomike dhe funksionalizimi i qendrës trajnuese; Fillimi i restaurimit të Kalasë së Pogragjës; Ndarja e bursave për studentë dhe nxënës të dalluar; Rregullimi pjerrinave në trotuaret e qytetit; Funksionalizimi i Qendrës Rinore; Krijimi i qendrës për qëndrim ditor për personat me aftësi të kufizuar; Krijimi i kinemasë afër Kalasë së Pogragjës; Krijimi i parkingjeve të reja në qytet; Riorganizim i Flakës së Janarit;  Rritja e fondit për subvencionim të organizatave kulturore, e shumë premtime të tjera që cilësohen si të mbajtura, në fakt as nuk kanë filluar”, tha Murseli.

Ai kërkoi nga Instituti GAP rivlerësim të premtimeve të të parit të ekzekutivit të Gjilanit, ngase, siç u shpreh, “as për së afërmi nuk janë të realizuara ashtu siç janë paraqitur”.

Sipas raportit të Institutit GAP, i cili u publikua para pak ditësh, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, gjatë qeverisjes së deritanishme ka arritur të përfundojë 64 premtime, nga 109 të premtuara në total.

Në këtë raport është analizuar përmbushja e premtimeve zgjedhore të kryetarëve të komunave për periudhën 2021-2025.

Nga të dhënat e publikuara, në raport thuhet se 64 premtime janë të përmbushura në total, pesë janë gjysmë të përfunduara, 18 kanë filluar dhe 22 prej tyre ende nuk kanë filluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat