Zëvendësministri i MAPL-së, Arbër Vokrri, e ka cilësuar të ngutshme kërkesën e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni për shpërndarje të Kuvendit Komunal.
Vokrri ka deklaruar se nuk pret përgjigje pozitive.
“Është herët për të folur për pazotësi, nuk mendoj se qëndro ajo – thjesht kanë mospajtime. E ka të drejtën që të mendojë më ndryshe sesa Kuvendi Komunal. Ka hapësirë për diskutime të mëtutjeshme dhe të gjendet zgjidhja. Në bindjen time është kërkesë paksa e ngutshme nga ana e kryetarit. Nuk pres që të ketë përgjigje pozitive, por prapë kjo mbetet në diskrecionin e zyrtarëve të administratës civile në MAPL, të cilët i marrin vendime dhe i bëjnë vlerësimet juridike. Zgjedhjet lokale janë afër, andaj nuk e di se ku mund të jetë efekti nëse ka një distancë disa mujore. Pse me shku në zgjedhje të parakohshme, kur po afrohet data e zgjedhjeve të rregullta?”, tha ai.
Por, sipas tij, kërkesa për shpërndarje nuk është e kundërligjshme.
“Për aq sa jam i informuar kërkesa nuk është e kundërligjshme. Madje, edhe qytetari mundet me kërkua, por pse jo edhe kryetari shpërbërje të kuvendit komunal? Por, mandej se sa është e realizueshme kjo dhe sa e lejojnë rregullat ajo është çështje tjetër”, deklaroi Vokrri.
I pari i Gjilanit Alban Hyseni, kërkoi shpërbërjen e Kuvendit Komunal të Gjilanit me arsyen që nuk po përmbushen detyrat dhe obligimet ligjore të komunës.
Komuna e Gjilanit ka dështuar disa herë të votojë buxhetin e mbetur nga viti 2023, ngase opozita nuk ka marrë pjesë në votim, me arsyetimin se nuk votojnë diçka, përmbajtjen e së cilës nuk janë konsultuar.