Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Gjilanit Alban Hyseni, për shpërbërjen e Kuvendit Komunal atje.
Kjo u bë e ditur nga asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gentrit Murseli.
Murseli tha se zyrtarisht MAPL-ja ka refuzuar shpalljen e zgjedhjeve të reja në organin legjislativ të kësaj komune.
“Kryetar, ky është apel publik! Për hir të qytetarëve, pranoni shqyrtimin e kërkesave të partive opozitare dhe ofroni një zgjidhje për dalje nga kjo situatë që nuk i sjell dobi askujt”, tha Murseli.
Ai theksoi se kjo kërkesë është joligjore.
“Kërkesa joligjore për shpërbërjen e Kuvendit ka vërtetuar dështimin tuaj për zgjidhjen e çështjeve përmes kompromisit. Andaj, reflektoni!”, theksoi ai në mesazhin e drejtuar të parit të Gjilanit.
Asamblisti i LDK-së, bëri thirrje që të veprohet menjëherë.
“Sepse interesi i përgjithshëm është më i rëndësishëm sesa kalkulimet tuaja politike”, tha ndër të tjera kuvendari i opozitës.