Banorët e fshatit Beguncë të Vitisë, tash e tri javë po përballen me një problem të furnizimit me ujë të pijshëm, pasi një gyp i rrjetit të ujësjellësit ka pëlcitur në rrugën “Dëshmorët e Lirisë”.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga komuna dhe kompania përgjegjëse për ujësjellësin, për të rikthyer normalitetin në furnizimin me ujë dhe për të shmangur dëmet e mëtejshme infrastrukturore dhe higjienike në këtë zonë.
Samet Dalipi, banor në këtë fshat, ka thënë se askush nga komuna nuk ka intervenuar në sanimin e defektit dhe se sipas tij, prishjet e tilla janë të shpeshta.
“Ka gati tri javë që kur ka përlcitur gypi i rrjetit të ujit, deri tani askush nuk ka intervenuar në sanimin e defekti. Rrjeti u ujit është pa menaxhim, ky është ujësjellësit qe e kemi qe 12 vite për çdo lagje të fshatit që vjen prej malit. Pëlcitjet janë të shpeshta, tash edhe afalti ka filluar me u prish nga rrjedhat e ujit dhe humbjet janë të mëdha”, ka thënë Dalipi, duke theksuar se i kanë vendosur edhe orëmatësit, por që sipas tij, rrjeti nuk ka kaluar në menaxhimin nga institucionet.
Ai shtoi se e kanë njoftuar komunën për problemin me të cilin po ballafaqohen tash e disa javë.
Ndër të tjera, Dalipi thekson se meqë ujin nuk e kontrollon askush nuk mund ta përdorin për pije.
Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Viti, thanë se do të merren me sanimin e këtij defekti por nuk kanë treguar se a kanë ndonjë plan sa i përket çështjes së ujësjellësit në këtë fshat.
Siç thonë banorët, ujësjellësi në këtë lokalitet të Vitisë, ishte ndërtuar vite më pare, por KRU “Hidromorava” nuk e ka marrë asnjëherë në menaxhim pasi nuk i plotëson kushtet.