Buxheti për vitin 2025 në Komunën e Gjilanit nuk po votohet si pasojë e mosgjetjes së gjuhës së përbashkët mes pozitës dhe opozitës, ndërsa qytetarët janë në pritje të tejkalimit të kësaj sfide për kushte më të mira në investime të mundshme për ta.
Sërish nuk pati kuorum për të votuar buxhetin e vitit 2025 në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Seanca për këtë çështje u bojkotua nga opozita.
“Ne nuk kemi kuorum për të vazhduar tutje, faleminderit e shpalli të ,mbyllur këtë seance. Nuk ka kuvend në botë që mundet me u mbajt kur s’ka kuorum na e kemi debatin për këtë punë edhe vetë e kam ba debatin së bashku me kryetarin”, tha Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Zëvendëskryetarja e Gjilanit, Leonora Bunjaku – Morina, thotë se kanë obligim për t`i informuar qytetarët, pavarësisht bojkotit të asamblistëve.
“Si përfaqësues të qytetarëve të gjithë kemi një detyrë të shenjtë për të siguruar që ata të kenë shërbime dhe projekte që meritojnë. Votimi i buxhetit është një detyrim moral dhe ligjor ndaj atyre që na kanë besuar”, tha Bunjaku – Morina.
Përfaqësues të opozitës në Gjilan kundërshtojnë kryetarin Hyseni, e që sipas tyre, ai po kërkon vetëm votimin e buxhetit.
“Neve na është pamundësuar në përgatitjen e draftit të përgatitjes së buxhetit, andaj kryetari i Komunës, e thash e sot edhe gjithmonë, e kërkon vetëm votim të buxhetit e jo pjesëmarrje dhe kontribut të opozitës për buxhetin”, tha Gentrit Murseli, asamblist i Komunës së Gjilanit .
Rrezikojmë të bllokohemi totalisht me buxhet thotë drejtoresha për financa në Komunën e Gjilanit.
“Ne kemi përmbushur çdo aspekt teknik që kërkohet në procesin e buxhetimit komunal, tashti kur ka politika na kemi hasur në ngecje dhe gjendemi në këtë situatë në të cilën, tek e fundit, qytetarët kanë penalltinë kryesore”, tha Herolinda Murati-Leka, drejtoreshë për Financa në Komunën e Gjilanit.
Ndërkohë, pritet se çfarë do të vendoset më tutje nëse ky buxhet nuk kalon.