Inovacion në shëndetësi – Studentët e “Kadri Zekës” në Gjilan krijojnë “Sistemin e Menaxhimit të Spitalit”

Gjilani

Inovacion në shëndetësi – Studentët e “Kadri Zekës” në Gjilan krijojnë “Sistemin e Menaxhimit të Spitalit”

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 13:50
Foto nga vendi i ngjarjes

Një grup i studentëve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë realizuar një projekt në përmirësimin e sistemeve shëndetësore, duke sjellë automatizim dhe menaxhim më efikas të të dhënave dhe shërbimeve spitalore.

Projekti inovativ  “Sistemi i Menaxhimit të Spitalit (SMS)” i krijuar nga studentët, është një platformë dixhitale e dizajnuar për të lehtësuar dhe optimizuar menaxhimin e spitaleve dhe institucioneve shëndetësore.

“Grupi i studentëve, i përbërë nga Gazmend Halili, Donat Beqiri, Dimal Hajrizi, Rona Beqiri dhe Olti Bekteshi, ka realizuar këtë projekt nën udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Aferdita Ibrahimi. Platforma SMS ka për qëllim të përmirësojë ndjeshëm administrimin spitalor duke dixhitalizuar proceset kryesore, si menaxhimi i pacientëve, planifikimi i termineve, organizimi i analizave laboratorike dhe kontrolli i medikamenteve”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se ky sistem modern është ndërtuar mbi një arkitekturë me role, ku secili përdorues ka qasje në funksionalitete të caktuara, bazuar në rolin e tij në spital.

Ky projekt inovativ ka potencial të madh për t’u implementuar në spitalet publike dhe private, duke ndihmuar institucionet shëndetësore të kalojnë nga metodat tradicionale të menaxhimit në një sistem tërësisht dixhital. Duke marrë parasysh nevojën e madhe për modernizimin e spitaleve, SMS mund të shërbejë si një model për një menaxhim më të organizuar dhe efikas në sektorin e shëndetësisë”, thuhet tutje në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat