Partia Demokratike e Kosovës – dega në Gjilan, ka mbajtur konferencë për media duke shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e krijuar në këtë komunë.
Pas thirrjeve të kryesuesit të Kuvendit Komunal për dëgjim publik, dhe të një seance urgjente nga kryetari Hyseni, PDK thotë se kryetari i komunës po e shpërfaq lojën e tij politike për ta bllokuar buxhetin e Komunës së Gjilanit.
“Thirrja për një seancë të jashtëzakonshme pas takimit midis kryetarëve të partive politike në Gjilan dëshmon se kryetari Hyseni nuk e ka dashur dhe as nuk e dëshiron miratimin e buxhetit për të vetmen arsye që t’i mbulojë dështimet e tij”, ka thënë kryetari i partisë, Riad Rashiti.
Ai shtoi se sot po e shohin të gjithë se ku ka qenë problem dhe se kush në realitet po tentoj ta bllokojë miratimin e buxhetit.
“Pas dakordimit kryetari del me një video dhe vazhdon me qasjen e njëjtë të tij duke thirrur seanca urgjente. Kjo është e papranueshme, kjo sjellje e tij është e dëmshme për komunën dhe qytetarët e vendit”, ka shtuar ai.
Rashiti sqaron se pjesëmarrja e tyre si subjekt politik në takimin e thirrur nga kryesuesi ishte pjesë konstruktive për të tejkaluar situatën e krijuar, duke theksuar se në atë takim kanë paraqitur qëndrimet e tyre.
Ai shton se palët pjesëmarrëse kanë arritur koordinim në tri çështje.
“E para çështje ka qenë që të zbatohen rekomandimet e MAPL-së lidhur me miratimin e borgjit të komunës, e dyta të dakordohemi për hapat deri te miratimi i buxhetit dhe e treta që në buxhet të planifikohen projekte që janë në harmonizim me planin zhvillimor komunal”, ka thënë ai.
PDK në Gjilan ka konfirmuar se do të jenë pjesë e dëgjimit publik të ftuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal me fillim nga ora 11:00, dhe pastaj edhe në seancën urgjente të ftuar nga kryetari Hyseni.