Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mbajtur takim me ekspertët ndërkombëtar për procesin e ri-akreditimit për dy programe të Fakultetit Juridik, bachelor Juridik i Përgjithshëm, LLB (240 ECTS) dhe Master Juridiko Penale, LLM (60 ECTS).
Vizita në UKZ e zhvilluar sot, u organizua nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës dhe u mbikëqyr nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh, përfshirë Dr. Nina Rotermund, Dr. Johannes Falterbaum dhe Asnate Kazoka PhD (student doktorature). Procesi u koordinua nga përfaqësuesja e AKA-së, Ilirjane Ademaj Ahmeti.
Gjatë kësaj vizite, ekspertët realizuan një sërë takimesh me menaxhmentin, stafin akademik dhe administrativ, studentët, të diplomuarit dhe punëdhënësit e tyre, duke vlerësuar cilësinë e programeve dhe ndikimin e tyre në tregun e punës.
Nga takimet e Rektoratit dhe stafit të fakultetit u paraqit gatishmëria për të bashkëpunuar me ekspertët dhe për të zbatuar rekomandimet që mund të dalin nga ky proces, ku u theksua rëndësia e akreditimi për të garantuar cilësi dhe konkurrencë të programeve të Fakultetit Juridik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Edhe takimet me studentët dhe të diplomuarit u vlerësuan si mjaft të frytshme, pasi ofruan një pasqyrë të qartë mbi përvojën e tyre gjatë studimeve dhe sfidat në tregun e punës. Po ashtu, përfaqësuesit e institucioneve partnere, përfshirë Gjykatën Themelore të Gjilanit, Dhomën e Avokatëve, Policinë e Kosovës dhe noterët, dhanë opinionet e tyre mbi cilësinë e të diplomuarve të UKZ-së dhe përputhshmërinë e programeve me nevojat e tregut.
Ekspertët ndërkombëtarë, në kuadër të procesit të ri-akreditimit të programeve të Fakultetit Juridik në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, po ashtu kanë realizuar një vizitë të detajuar në ambientet e fakultetit, për të vlerësuar kushtet dhe infrastrukturën akademike.
Procesi i ri-akreditimit është jetik për sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe njohjen ndërkombëtare të diplomave të UKZ-së, duke garantuar se programet e studimit përmbushin standardet akademike dhe profesionale të kërkuara.