Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vendosur t’i thotë po, votimit të buxhetit për komunën e Gjilanit. Këtë e ka konfirmuar në një konferencë për media, kreu i LDK-së në këtë komunë, Lutfi Haziri, që tha se, LDK ka dalë përtej partisë e në interes të Gjilanit, të punëtorëve shëndetësorë e arsimtarëve.
“Duke qenë se LDK ka qenë dhe është gardiane e ligjshmërisë, në kuadër të kësaj, Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit Komunal ka organizuar sot dëgjimin publik për buxhetin e vitit 2025, në përputhje me përgjigjen e datës 18 tetor nga ministri i MAPL-së, ndaj kërkesës së paligjshme të ekzekutivit të Gjilanit. Sipas ligjit, specifikohet decidivisht që Kuvendi Komunal duhet të organizojë dëgjime publike, e jo ekzekutivi”, thuhet në njoftimin për media, nga kjo parti.
Tutje, aty thuhet se sikurse ishin dakorduar, në takimin e organizuar nga kryesuesi i Kuvendit, Kadriu, me përfaqësuesit e partive politike, por që kreu i ekzekutivit u tërhoq dhe në mënyrë të njëanshme dhe joligjore seancë të Kuvendit, pa u harmonizuar me kryesuesin.
“LDK vazhdon të besojë dhe të funksionojë vetëm duke respektuar ligjin e me racionalitet politik, dhe në këtë mënyrë, këshilltarët tanë dhe të partive tjera opozitare po e bëjnë punën në mënyrë që Gjilanit të mos mbetet pa buxhet. LDK ka dalë përtej partisë e në interes të Gjilanit, të punëtorëve shëndetësorë e arsimtarëve, duke qenë se pjesëmarrja jonë në grant të qeverisë është 4.2 milionë euro. Gjilani është qytet i demokracisë, ka qenë gjithmonë i tillë dhe ata që mendojnë se mund të veprojnë ndryshe, gabohen rëndë. Në e duam Gjilanin më shumë se partinë dhe të enjten miratojmë buxhetin për qytetaret, punëtorët shëndetësorë e arsimtarët, ka thënë, Haziri.
Në Gjilan që disa herë me radhë pushteti po tenton ta votojë buxhetin, por pa sukses. Një përpjekje ka ndodhur edhe sot. Seanca e sotëm urgjente, e ftuar për të rishikuar mundësinë e votimit të buxhetit për Komunën e Gjilanit, nga asamblistët e kësaj Komune, nuk u mbajt në mungesë të kuorumit.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, thotë se si ekzekutiv e ka të drejtën ta propozojë buxhetin të cilin legjislativi i Gjilanit mund ta modifikojë.