Herolinda Murati Leka ka dhënë sot dorëheqje të parevokueshme nga pozita e drejtoreshës në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Gjilanit për arsye, “institucionale etike dhe morale”, të cilat tha se ia kanë bërë të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të ushtrimit të funksionit të saj.
“Unë, Herolinda Murati-Leka, në cilësinë e Drejtoreshës për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, përmes kësaj letre paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga kjo detyrë, për arsye të shumta institucionale etike dhe morale, të cilat më bëjnë të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të ushtrimit të funksionit tim”, shkroi ajo në letrën e dorëheqjes, drejtuar kryesuesit të Kuvendit Komunal, anëtarëve dhe kryetarit të Komunës.
Prej disa muajsh, ajo shkroi se “Komuna e Gjilanit është duke kaluar një krizë të thellë qeverisëse, si pasojë e mungesës së një shumice funksionale në Kuvendin Komunal”.
“Kjo ka sjellë bllokimin e miratimit të buxhetit për vitin 2025, duke pamundësuar realizimin e projekteve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë. Ndonëse kam paralajmëruar publikisht në mbledhjen e Kuvendit Komunal mbi problemet e mundshme që do të mund të ndodhnin nga mënyra se si është votuar draft-buxheti për vitin 2025, kjo gjë nuk mori vëmendjen tuaj. Në një situatë të tillë, puna ime si drejtoreshë është bërë e pamundur dhe krejtësisht e pakuptimtë”, shkroi ajo.
Përveç kësaj, Herolinda Murati Leka tha se gjatë javës së fundit është përballur me “veprime të papranueshme dhe të pashembullta për një institucion publik”.
“Persona të paidentifikuar dyshohet të kenë hyrë pa autorizim në zyren time kur unë nuk kam qenë në ambientet e punës. Ky akt është një mesazh i qartë i pasigurisë institucionale dhe një tentativë për të më treguar se nuk jam e dëshiruar në këtë qeverisje komunale. Një situatë e tillë është jo vetëm e papranueshme, e paprecedent në historinë qeverisëse të Gjilanit, por edhe një cenim i rëndë i integritetit dhe sigurisë institucionale”, tha ajo në letrën e dorëheqjes.
Këto dhe “shumë arsye të tjera”, ajo tha se kanë bërë që ajo ta marrë këtë vendim, “e bindur se në një ambient të tillë nuk mund të kontribuoj në mënyrë profesionale, të ndershme dhe të efektshme në të mirë të qytetarëve”.
“Unë kam shërbyer me përkushtim dhe përgjegjësi në këtë detyrë, duke u bazuar gjithmonë në ligj, transparencë dhe interes publik për qytetin ku jetoj dhe punoj. Mirëpo, në rrethana ku vlerat institucionale dhe etika qeverisëse shkelen, unë nuk mund të jem pjesë e një procesi që dëmton interesin publik dhe qytetarët e Gjilanit. Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi për punën dhe përkushtimin e tyre, dhe mbi të gjitha, falënderoj qytetarët e Gjilanit për respektin, besimin dhe mbështetjen e dhënë!”, shkruan ajo në letrën e dorëheqjes.