Ditë të tëra Gostivari pason Shkupin për nga numri i madh i të infektuarve me Covid-19. Përpara Repartit Infektiv pranë Spitalit të Gostivarit, pritet radhë nga pacientët për të gjetur shtretër të lirë ose për të marrë ndonjë informacion nga familjarët për të afërmit e tyre të cilët trajtohen aty.
Që mos krijohet rrëmujë, në ndihmë të mjekëve ndodhet edhe policia dhe ushtria. Përpos mungesës së kapaciteteve spitalore për trajtimin e personave të infektuar me virusin korona, në Gostivar mungon edhe personeli shëndetësorë. Aktualisht pacientët trajtohen vetëm nga një infektolog, pasi infektologu tjetër ka rezultuar pozitiv dhe ndodhet në izolim. Nga ky repart thonë se shtretër të lirë nuk ka as edhe te dy CovidQendrat e reja, ajo në Repartin Intensiv dhe në Neurologji. Infektologu Enes Memeti, thotë se gjendja që mbretëron, është më alarmatja që nga fillimi i pandemisë në Gostivar.
Memeti apelon deri te popullata që nëse kanë çfarëdo lloj simptomash, menjëherë të paraqiten te ata e jo të kërkojnë trajtim në ordinaca private. Ai dyshon se ka institucione të tilla shëndetësore private në Gostivar, pacientët e të cilëve më shpesh përfundojnë me fatalitet.
Nga fillimi i pandemisë në Gostivar me rrethinë ka pasur mbi 2.500 të infektuar, prej tyre 93 kanë humbur betejën me virusin korona, 1.475 janë shëruar dhe aktive ka 942 raste. Ndryshe, për tre javë në Gostivar janë harxhuar 200 teste të shpejta, prej ku 45 përqind e të testuarve, kanë dalë pozitiv me Covid 19.