Spitali i Gostivarit: Mbi 45 mijë euro fatura e rrymës për muajin gusht, do të jetë e vështirë të funksionojë spitali

Gostivari

Spitali i Gostivarit: Mbi 45 mijë euro fatura e rrymës për muajin gusht, do të jetë e vështirë të funksionojë spitali

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 10:20
Foto ilustrim

Spitali i Gostivarit “Ferid Murad” ka dalë me reagim në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në një njoftim ata thonë se faturat e energjisë janë rritur për 451 përqind dhe shtojnë se nëse vazhdohet kështu, do të jetë e vështirë funksionimi i spitalit.

Nga Spitali i Gostivarit thonë se fatura e muajit gusht për vitin 2022 krahasuar me atë të vitit 2021 është për 451 përqind më e lartë dhe arrinë në 45.536 euro.

“Duke e marrë parasysh trendin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për (KWh) të harxhuar, dhe duke parë se çmimi i energjisë elektrike shënon rritje drastike nga 3.70 den në 35.93 den (rritje prej 32.23 den ose 871 %), ne si institucion filluam që ti ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për kursimim e energjisë elektrike që sa do pak në muajt në vazhdim të ulim harxhimet e energjisë elektrike pasi që vërtetë janë të papërballueshme”.

“Nga analizat financiare të cilat i kemi bërë, duke u bazuar në dokumentacione zyrtare dhe duke krahasuar faturat e muajit gusht 2018/2019/2020/2021 dhe 2022 të pranuara nga ana e furnitorëve Fuente Dynamics dhe EVN group të cilët bëjnë furnizimin me energji elektrike për institucionin tonë i bie se si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike faktura e muajit gusht 2021 krahasuar me faturën e muajit gusht 2022 shënon rritje prej 451 %”, thonë nga Spitali i Gostivarit.

Gjithashtu kanë publikuar faturat e muajit gusht për katër vitet e fundit, të cilat i gjeni më poshtë:

– Fatura e muajit gusht 2018 (431.457 den, 7.015 euro),
– Fatura e muajit gusht 2019 (465.663 den, 7.571 euro, +8 % rritje krahasuar me muajin gusht 2018),
– Fatura e muajit gusht 2020 (379.202 den, 6.166 euro, -23 % ulje krahasuar me muajin gusht 2019),
– Fatura e muajit gusht 2021 (507.872 den, 8.258 euro, +34 % rritje krahasuar me muajin gusht 2020),
– Fatura e muajit gusht 2022 (2.800.517 den, 45.536 euro, +451 % rritje krahasuar me muajin gusht 2021).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat