Gostivar, pacientja që vuan nga çrregullime mendore sulmon me thikë personelin mjekësor

Gostivari

Gostivar, pacientja që vuan nga çrregullime mendore sulmon me thikë personelin mjekësor

Më: 30 mars 2023 Në ora: 16:52
Gostivar

Pasi merr terapi në Repartin psikiatrik pranë Spitalit të Gostivarit, B. J, e cila vuan nga çrregullime mendore, ka sulmuar personelin mjekësor. Së pari ka sulmuar personelin e repartit psikiatrik, ndërsa më pas me një thikë në dorë, ka sulmuar personelin mjekësor në Spitalin modular, i cili për momentin punon si repart i pediatrisë. Për fat të mirë, pos dëmit material, nuk ka persona të lënduar apo viktima.

Policia kishte reagur shpejtë dhe e kishte prangosur në vendngjarje sulmuesen, e cila tanimë numëron edhe veprime të tjera të rrezikshme për qytetarët. Derisa institucionet ia hedhin topin njëri – tjetrit se kush duhet të merr masa të mëtejme në lidhje me vajzën, jozyrtarisht mësohet se ajo deri tani ka djegur edhe dy vetura të parkuara para një shtëpie në Çajlë dhe poashtu ka qenë e përfshirë edhe në disa vepra të tjera penale.

Nga policia na thanë se edhe pse rasti është denoncuar tek ata, askush nuk kërkon ndjekje penale, ndaj dhe veprimet e policisë aty përfundojnë. Nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale përmes një bisede telefonike na thanë se pa mos pasur një udhëzim nga specialist i psikiatrisë, ata nuk mund ta marrin dhe ta dërgojnë në spitalin special psikiatrik për këta persona në Bardofcë. Ndërkohë, derjtoresha e këtij spitali u ka thënë kolegëve në Gostivar se pa nënshkrimin e nënës së 30 vjeçares, ajo nuk mund të pranohet në Bardofcë.

Drejtuesit e spitalit të Gostivarit ishin dakord që ta mbanin ata vetë për trajtim pasi nëna nuk nënshkruan, megjithatë prisnin se cili do të jetë vendimi i prokurorisë. Kjo e fundit pasi kaluan disa orë nga rasti, sipas informacioneve tona, ka marrë vendim për dërgimin e saj në Bardofcë, vendim të cilin as spitali special psikiatrik në Shkup nuk mund ta refuzojë, pasi është përfundimtar. Ndryshe, B.J nuk është person I vetëm që vuan nga çrregullime mendore e që përbën rrezik për popullatën në Gostivar. Banorët shpesh janë ankuar edhe për dy persona të tjerë të gjinisë mashkullore, që shpesh bredhin rrugëve të Gostivarit e që kryejnë veprime nga më të ndryshmet, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejtë jetën e secilit banor të Gostivarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat