Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njofton se sot zyrtarët policorë me urdhër të Gjykatës së Gostivarit kanë konfiskuar marihuanë nga një person juridik në Vrapçisht, me sasi përgjithshme prej 4.341 kilogramë në vlerë mbi 10 milionë euro.
Sasia e narkotikëve u konfiskua pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për heqjen e autorizimit për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore të personit juridik, për shkak të parregullsive të konstatuara në operim.
“Në periudhën e kaluar, zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike dhe DPB Gostivar në koordinim me Komisionin për vlerësimin e plotësimit të kushteve në aspektin e hapësirës, pajisjeve dhe personelit për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore kanë kryer kontroll të jashtëzakonshëm, gjatë të cilit janë konstatuar parregullsi të shumta, për të cilat DPB e Gostivarit ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë e Gostivarit nga neni 95 c i Ligjit për kontrollin e drogave narkotike”.
“Pas vendimit të Qeverisë së RMV-së, janë sekuestruar 4.341 kilogramë lëndë narkotike marihuanë dhe janë vendosur në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara”.
“Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Komisionin nga Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojnë kontrollet në të ardhmen në personat juridikë që kanë leje për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore për të konstatuar parregullsi të mundshme në funksionimin e tyre”, njofton MPB e Maqedonisë Veriore.