Gjendja e rënduar ekonomike dhe sociale ka bërë që kohëve të fundit përveç shumë dukurive negative që ndodhin në shoqërinë tonë, vend të posaçëm të ketë edhe dhuna në familje. Kësisoj, edhe dhuna në familje vazhdon të jetë shqetësuese në rajonin e Pollogut. Nga viti në vit, dhuna në familjet e këtij rajoni shënon rritje enorme, ndërsa gjithnjë kohëve të fundit viktima shfaqen edhe prindërit.
Por ajo që është më shqetësuese në këtë drejtim është se viktimat e dhunës nuk u shkojnë deri në fund proceseve gjyqësore dhe pas procedimit të padisë nga policia në gjykatë, gratë tërhiqen duke mos kërkuar që të ketë epilog gjyqësor. Kjo për arsye se ata nuk kanë ku të kthehen, ndërsa strehimore në rajonin e Pollogut nuk ka.
“Në rajonin e Gostivarit janë raportuar gjithsej 54 raste të dhunës në familje ndaj grave, prej tyre 28 bashkëshorte, 8 nëna, 2 ish bashkëshorte, 5 gra në bashkësi jashtëmartesore, 2 motra, 1 e fejuar dhe 5 nuse etj. Gjatë vitit 2023 kemi shënuar një rënie prej 28 për qind krahasuar me vitin 2022, ku në këtë zonë janë raportuar gjithsej 39 raste të dhunës në familje ndaj grave, nga të cilat 15 bashkëshorte, 5 nëna, 5 ish bashkëshorte, 9 gra jashtëmartesore, 2 motra, 2 gjyshe“, thotë Fatmir Rexhepi zëdhënës i SPB-Tetovë.
Numri më i madh i viktimave janë gratë, ish-bashkëshortet, por nuk mungon dhuna as ndaj prindërve kurs ka pasur edhe një rast kur burri ka denoncuar gruan dhe nënën e saj për dhunë psikike dhe fizike të cilët në të njëjtën kohë e kanë sulmuar atë dhe prindërit të cilët kanë jetuar në një shtëpi, theksojnë nga Policia.
“Ndërsa gjatë tre muajve të parë të vitit 2024 në Gostivar janë raportuar gjithsej 9 raste të dhunës në familje ndaj grave, prej të cilave 8 bashkëshorte dhe 1 nënë, ku 7 prej veprave kanë të bëjnë me përdorimin të forcës fizike dhe shkaktimit të lëndimeve trupore dhe 2 me rrezikim të sigurisë. Autorët në numrin më të madh të rasteve gjatë kryerjes së veprave kanë përdorur forcë fizike duke shkaktuar lëndime trupore apo është kërcënuar siguria, ndërsa shkaku më i shpeshtë për kryerjen e këtyre veprave është çrregullimi nervor dhe nervozizmi i autorëve, droga dhe alkooli”, njofton zëdhënësi Rexhepi.
Mosmarrja e masave, apo mos ndëshkimi i dhunës në familje nga organet e drejtësisë, ka bërë që autorët e këtyre veprave t`I kenë duart e lira për të vepruar ndaj viktimës disa herë. Kjo praktikë duhet të ndalohet, thonë njohësit e këtyre rrethanave. Sipas tyre institucionet përkatëse çalojnë në zbatim të ligjit dhe protokollit pikërisht në rastet e dhunës në familje.