Skuadra kampione e Kosovës, Besa Famgas nga Peja, udhëton për në Banjallukë, për të zhvilluar ndeshjen e kthimit kundër Borcit.
Pejanët e kanë epërsinë me rezultat 24:22 dhe synojnë që ta ruajnë atë, që të kualifikohen në të tetën e finales së Kupës së Evropës në hendboll.
Ndeshja luhet me 19 dhjetor, në palestrën e sportit “Borik” në orën 18.00.
Borci është skuadër nga Republika Srpska dhe garon në Kampionatin e Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Të shtunën shënuam fitore të madhe në "Karagaçin" tonë. Sot udhëtojmë për në Banjallukë për ta mbrojtur atë fitore. Të shtunën e luajmë ndeshjen e dytë me Borcin e famshëm.
Është momenti ynë, momenti për të ngritur emrin Besa Famgas në nivelet më të larta të hendbollit evropian.
Djemtë tanë janë të vetëdijshëm për barrën që kanë.
E tërë Peja, e tërë Kosova, të shtunën e pret lavdinë prej tyre. Na dëshironi fat...
Besa-Besë BESA-Famgas”, shkruan në faqen e KH Besa Famgas.
Ndeshja referohet nga gjyqtarët Ante Mikeliq dhe Petar Paradina.