Hendbolli ka traditë të madhe në Kosovë dhe ka pasur disa periudha interesante, sidomos në vitet e 70-ta dhe të 80-ta. Në monografinë e hendbollit të Kosovës, "60 vjet FHK", ndër të tjera tregohet edhe një detaj interesant.
“Si u prapësua propozimi i Kosovës për kualifikimin e drejtpërdrejtë në Ligën federative? Lidhja Hendbollistike e Kosovës kishte hyrë në fazën e konsolidimit të politikës zhvillimore të hendbollit të Kosovës, me qëllim të barazimit të Ligës cilësore të Kosovës me të gjitha Ligat e tjera që asokohe funksiononin në kuadër të ish-federatës jugosllave.
U mbajtën shumë konsultime, këshillime, mbledhje maratonike, në të cilat me këmbëngulësi dhe me të drejtë kërkohej që përfaqësuesit e Kosovës, përkatësisht kampionët në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave të kenë të drejtën e kualifikimit të drejtpërdrejtë në Ligën e dytë federative të ish-Jugosllavisë.
Të gjitha këto gjenin mbështetjen e skuadrave të Kosovës, në radhë të parë të përfaqësuesit më të denjë të hendbollit, Borcit të Ferizajt, i cili në vitet e 70-ta përkujtoi se Kosova ka bërë një hap gjigant në arritjen e cilësisë së këtij sporti, ashtu siç kishin bërë edhe skuadrat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Një numër i madh i hendbollistëve luanin në shumë përzgjedhje dhe me të drejtë thuhej se edhe në Kosovë cilësia e hendbollit kishte kapërcyer caqet provinciale dhe po bënte jetë evropiane.
Nuk ishte vetëm Borci i Ferizajt që qëndronte në krye të kësaj cilësie. Edhe në Mitrovicë hendbolli kishte zënë rrënjë të fuqishme.
Trepça në të dy konkurrencat, por më vonë edhe Mokra-Gora në konkurrencën e femrave shënuan rezultate tejet të mira.
Thënë shkurt, liga e Kosovës, edhe në konkurrencën e meshkujve, edhe në atë të femrave ishte një trampolinë, nga e cila kërcehej drejt elitës së hendbollit evropian”, shkruan në monografinë e hendbollit të Kosovës, "60 vjet FHK".