Trajner, gjyqtar dhe veprimtar i hendbollit në Gjeneratën e Republikës. Është fjala për Shaqir Shaqirin, njeriu që dha shumë për hendbollin, sidomos në kohën e okupimit, duke e sfiduar regjimin serb.
Shaqiri i kujtohen disa momente të sikletshme por falë Zoti shpëtuan pa pasoja nga milicia e pushtuesit serb.
“Në periudhën 1994-1995, në fushën e shkollës ‘Ganimete Gërbeshi’ në Ferizaj, milicia serbe na i ndërpreu ndeshjen mes KH Vjosës dhe KH Prizrenit.
Na morën në bisedë informative, mu, Ruzhdi Shaqirin dhe Haki Baftiun - trajner, tani i ndjerë. Fatmirësisht shpëtuan pa pasoja në stacionin famëkeq të milicisë serbe, por morëm kërcënime dhe fyerje të rënda, pse po luanin në Kampionatin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu shpesh na i kanë ndërprerë edhe ndeshjet dhe stërvitjet në hendboll”, tregon Shaqiri për gazetën kombëtare "Bota sot“.
Shaqiri ka qenë trajner i KH Vjosës së Shtimes gjatë viteve të 90-ta, po ashtu edhe sekretar i Lidhjes së Sporteve të Shtimeve dhe gjyqtar i hendbollit dhe i futbollit të vogël.
Ai ndihet krenar që me mijëra sportistë i rezistuan regjimit serb dhe e mbajtën gjallë sportin në përgjithësi.
Shaqiri nuk u ndal asnjëherë përkundër kërcënimeve nga më të rënda që vinin nga pushtuesi serb.