Selektori i ri i Kombëtares së Kosovës, Bujar Qerimi, sonte shkroi historinë me të re të hendbollit të Kosovës, duke e mposhtur Rumaninë në Bukuresht me rezultat 30:25, në takimin e vlefshëm të xhiros së katërt të kualifikueseve për Kampionatin Evropian (meshkujt).
Kosova luftoi me mish e më shpirt dhe si fryt i kësaj edhe shënuan fitore bindëse ndaj superfuqisë evropiane, Rumanisë.
Qerimi është krenar me djemtë e tij dhe i përgëzon për angazhim dhe lojë të madhe.
“Loja e sotme ishte fantastike, sidomos ka qenë lojë me mend, me zemër, me motiv tepër te madh, lojtarët e treguan vetveten, që pikën e fituar të mërkurën në Prishtinë ishte jashtëzakonisht e meritueshme. Ata sot e kanë vulosur at fat, at dëshirë me luftën që e kanë bërë, kështu krejt është e meritueshme.
Hendbolli i Kosovës është duke ecur para, hap pas hapi, do të përfitojmë prej rastit dhe për të festuar një herë, mandej të mendojmë për lojën e radhës me Malin e Zi.
Duhet që të përgatitemi për Malin e Zi dhe të mundohem me çdo kusht të shënojmë fitore, të shohim se si do te jetë rezultati i lojës. Është pak herët të mendojmë për Malin, por duhet që të përgatitemi maksimalisht”, tha Qerimi.
Kosova është në vend të dytë me 3 pikë në grupin 8, sa ka edhe Rumania në pozitën e tretë dhe Suedia kryeson me 6 sosh.