Vitet që nuk harrohen kurrë, vitet e 90-ta (1991-1999), çdo sportist që zhvilloi garat në kuadër të Republikës, i kujtohen shumë të këqija nga regjimi serb.
Elvir Batatinca i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë ndër hendbollistët më të talentuar të asaj periudhe, duke i mbrojtur ngjyrat me shumë sukses të Llapit nga Podujeva.
Ai kujton një rast që nuk i fshihet kurrë nga kujtesa, në fushën e sportit të shkollës “Ganimete Tërbeshi” në Ferizaj, kur milicia e pushtuesit serb, turret me tërë arsenalin e saj dhe e ndërpreu ndeshjen Kastrioti - Llapi.
“Si sot më kujtohet një rast, në Ferizaj milicia serbe e ndërpreu ndeshjen dhe disa lojtarë të Llapit e disa të Kastriotit, i patën marrë në stacion policor, të cilët edhe i patën rrah”, tregon Batatinca për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Batatinca është krenar që i takoi asaj plejade të sakrificës dhe që e sfiduan fuqishëm regjimin serb, duke i zhvilluar garat në kuadër të Republikës së Kosovës.