Kryetari i klubit të hendbollit Prishtina (meshkujt), Edi Kolgeci, është i pikëlluar me vdekjen e doajenit të hendbollit, Fahri Buçinca. Ai tha se hendbolli, sporti dhe në përgjithësi Kosova, ka humbur një burrë të madh.
KH Prishtina është e trishtuar nga lajmi, për faktin se Buçinca me vite të tëra ka qenë pjesë e stafit të këtij kolektivi me renome, duke dhënë kontribut të madh.
“Sot, në moshën 86-vjeçare ka ndërruar jetë z. Fahri Buçinca, veteran i arsimit dhe sportit në Kosovë. Fahri Buçinca nisi karrierën si lojtar në vendlindje, Vushtrri, më vonë Buçinca e bëri elitare skuadrën vushtrriase. Ishte anëtar i kryesisë së klubit
KH Prishtina, e po ashtu delegat në ligat federative.
Nga viti 1991 ishte anëtar i kryesisë së FHK-së dhe anëtar i Komisionit të garave të Ligës së Republikës së Kosovës, të mëvetësuar në vitin 1991.
Kryetari z. Edi Kolgeci, shtabi teknik dhe lojtarët e KH Prishtina i shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen Buçinca dhe miqtë e të ndjerit”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të KH Prishtina.