Kombëtarja e Kosovës pëson humbje me rezultat 24:22 (11:10) nga Italia, në kuadër të grupit 4 të parakualifikueseve për Kampionatin Botëror, ndeshje që u zhvillua në palestrën Enzersdorf të Austrisë.
Nuk duhet harruar edhe faktin se Kosova u paraqit pa tre lojtare kryesore, Mirjeta Bytyqi, Albana Arifi dhe Leonora Demaj.
Në pjesën e parë të lojës, Kosova avancoi me 1:2, pastaj me 2:4 në minutën e 5-të. Pas kësaj minute zhvillohet lojë me rivalitet të madh, Italia në epërsi me 7:6, pastaj barazohen shifrat 7:7.
Deri në përfundim të pjesës së parë të dyja Kombëtaret kanë bërë disa gabime, duke humbur disa raste.
Duhet veçuar portieren Kristina Ujkaj e cila ka qenë jashtëzakonisht e mirë në 30 minutat e parë, duke pritur disa goditje të rivales madje edhe një penallti. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 11:10 në të mirë të Italisë.
Në pjesën e dytë, Kosova e nisi zbehtë, duke lejuar italianet në minutat e parë të kësaj pjesë të shkëputen me 5 gola (15:10). Megjithatë, me kalimin e kohës, vashat tona afrohen në rezultat falë lojës së mirë të Elma Kamerit, ku ngushton rezultatin 17:16 (47’).
Jo vetëm Kameri por edhe Suzana Ujkiq tregoi lojë të mirë në pjesën e dytë, e cila përveç që shënoi dy herë nxori edhe një penallti. Vashat tona përkundër angazhimit deri në fund, nuk arritën të barazojnë rezultatin.
Duhet theksuar në minutën e 57-të , Italia në epërsi me 23:21.
Tre minutat e fundit u zhvilluan me emocione të mëdha në fushë sepse çdo gabim ishte i pariparueshme, megjithatë Italia fitoi me 24:22. Elma Kameri është më efikasja me 6 gola e ndihmuar nga Marigona Hajdari me 5 sosh dhe të italianen Iliria Dalla Costa me 5 e Biaca del Balzo me 5 gola.
Vashat e selektorit Agron Shabani u përpoqën deri në fund, por nuk arritën barazimin. Përfundon ëndrra e Kosovës për kualifikim më tej në Kampionatin Botëror. Kosova e humbi ndeshjen me fajin e vet, sidomos në pjesën e parë humbën disa raste ndër to edhe një penallti, që kanë mundur edhe të shkëputen në epërsi.
Austria kryeson në grupin e 4-të me 2 pikë sa ka edhe Italia dhe Kosova është në fund me 0 pikë.
Italia-Kosova 24:22 (11:10)
Italia: Ferrari, Cappelarro 2, Dalla Costa 5, Babbo 4, Balzo 5, Fanton 2, Djiogap 1, Mamolojviq 1, Stefanelli, Rotondo 3, Lucarini, Eghianruwa, Fabbo 1 dhe Pruenster.
Kosova: Ujkaj, Kameri 6, M. Hajdaraj 5, Aliu 2, Gjikokaj 2, A. Hajdari 3, Rugova 2, Stagova 1, Ujkiq 2, Kelmendi, Shatri, Shehdadi, Kastrati, Bytyqi dhe Ylberi.