Ka fiks 25 vite që merret aktivisht me hendboll. I dha shumë sportit në dy periudha, në kohën e sakrificës dhe të pasluftës.
Si hendbolliste ka qenë më e mira në Kosovë.
Në anketën e rubrikës së sportit të gazetës kombëtare “Bota sot”, që u realizua në vitin e kaluar, nga trajnerët dhe ish hendbollistet, Liria u zgjodh hendbollistja më e mirë në 20 vitet e fundit (1999-2019).
Si hendbolliste njihej si shënuesja më e mirë apo shumë herë quhej si “snajperiste”, si trajnere ka treguar përkushtim dhe ka zbuluar edhe mjaft talente në klubin e Kastriotit të Ferizajt.
Një kohë e mori edhe barrën mbi vete, e shpëtoi klubin nga shuarja, ndërsa me kadete sa ishte trajnere, tregoi vetëmohim të pashoq, duke zbuluar disa talente që sot luajnë me sukses të kadetet e Kastriotit. Është nga të paktat që flet për meritat e veta, punon me fanatizëm dhe sot është edhe profesoreshë e kulturës fizikë dhe po jep edhe aty dijen e saj.