Periudhë e rëndë në vitet e 90-ta (1991-1999), ku në asnjë moment nuk dihej se me çfarë të papritura mund të ballafaqohesh brenda ditës me pushtuesin serb!
Sportistët shqiptarë u dëbuan nga stadiumet dhe palestrat sportive, ishin të përndjekur, që besa ka pasur shumë prej tyre që u keqtrajtuan, u rrahën mizorisht dhe disa edhe u burgosën, vetëm pse luanin në kuadër të Republikës së Kosovës.
Arsim Imeri i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë ndër hendbollistët e dalluar të viteve të 90-ta, duke luajtur me sukses në petkun e Vjosës së Shtimes.

Shkrimi në gazetën "Bota sot", viti 2007
Ai, si mijëra sportistë shqiptarë, ka përjetuar momente të këqija nga pushtuesi serb. Imeri është krenar që ka kontribuar për hendbollin dhe sportin në përgjithësi në vitet më të errëta për popullin shqiptar të Kosovës.
“Karriera ime ka filluar nga viti 1981 deri 2007, ku ka qenë loja e fundit kundër Kastriotit në Ferizaj.
Pas këtij viti jam angazhuar si trajner i KH Vjosa e më pas trajner i KHF Vjosa.
Më kujtohet ndeshja Vjosa – Prishtina, ku kjo ndeshje është luajtur në shkollën fillore ‘Ganimete Tërbeshi’ në Ferizaj, rezultati ka qenë 7:7 dhe ne këtë moment ka intervenuar milicia serbe e atëhershme dhe e ka ndërprerë lojën.
Aty i kanë marrë në stacionin policor në Ferizaj zyrtarët dhe udheheqësit e klubit, kjo është një ndër kujtimet e asaj kohe”, tregon Imeri për gazetën kombëtare “Bota sot”.