Trajnerët kanë pasur barrën kryesore në vitet e 90-ta (1991-1999), në vitet më të vështira, sepse për secilin lojtar duhej përkujdesje maksimale, se mos vallë po i ndodhë ndonjë e keqe nga milicia e regjimit kriminal serb, veçmas në atëkohë, kur të rinjtë i kërkonin me dhunë që t’i dërgoni në shërbimin ushtarak.
Ferat Basholli i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë prej trajnerëve më të dalluar të hendbollit, duke punuar me përkushtim me vashat e Samadrexhës.
Basholli është prej trajnerëve të rrallë, që me disiplinë e profesionalizëm ka punuar, që nga dora e tij kanë dalur shumë hendbolliste në periudha të ndryshme, që u dëshmuan në fushën e lojës.
Një personalitet i rrallë, që kurrë nuk u ndal duke kontribuar për sportin në përgjithësi të Kosovës në gjeneratën e sakrificës dhe asnjëherë nuk iu tremb syri nga kërcënimet e regjimit serb.
Ai ishte si lokomotivë në vitet më të vështira, së bashku me mijëra sportistë i rezistuan agresorit serb.
Basholli edhe sot është aktiv, nuk ndalet në shërbim të hendbollit dhe të sportit.
Në fund të vitit 2020, Basholli u nderua me Çmimin për Vepër Jetësore nga Federata e Hendbollit të Kosovës.
Basholli është figura më e respektuar jo vetëm në botën e hendbollit dhe të sportit.
Trajner me vizione dhe që gjithmonë është i qetë, pavarësisht në fitore apo humbje ose në gëzime dhe situata të vështira.
Ai sot ndihet krenar që Samadrexha, si vatër e hendbollit, sot ka palestrën e vet sportive, po ashtu që të rinjtë dhe të rejat po luajnë me sukses në garat e ndryshme ndërkombëtare. Të shkruash për veprat e Basholit, duhet me mijëra faqe, i cili ka një bagazh të jashtëzakonshëm sportiv.