Sportistët shqiptarë përkundër kërcënimeve të mëdha nga regjimi serb, asnjëherë nuk u ndalën por i zhvilluan garat në fusha të improvizuara në kuadër të Republikës së Kosovës.
Gëzim Batatinca i takon Gjeneratës së Republikës, që me sukses luajti për klubin e hendbollit Llapi nga Podujeva në vitet e 90-ta (1991-1999).
Batatinca kujton ato kohëra të vështira, kërcënimet nga regjimi serb.
“Nuk e harroj kurrë atë periudhë!
Ishte kohë e rëndë, luanim në Dumnicë, Gërmi etj. Më kujtohen kërcënimet, si në Dumnicë po edhe në Ferizaj dhe në Drenas.
Në Ferizaj kanë qenë 5 persona prej nesh, që janë rrahur nga milicia serbe”, tregon Babatinca për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Batatinca tha se ka qenë periudha më e rëndë por është krenar që sado kudo dha kontribut në gjeneratën e sakrificës, duke mbijetuar sporti. Ai, me mijëra sportistë iu kundërvunë fuqishëm regjimit serb.