Anëtari i ekipit kombëtar kroat të hendbollit dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Dinamos së Bukureshtit, Ante Kuduz, u hodh në rrugë për herë të dytë këtë sezon. Kroati që do të largohet nga Dinamo në fund të këtij sezoni është i indinjuar nga menaxhmenti i klubit, pasi nuk erdhi asnjë reagim nga klubi pasi ai u hodh përsëri në rrugë, shkruan gazeta boshnjake “Oslobogjenje”.
26-vjeçari ishte lojtari më i mirë i kampionatit rumun sezonin e kaluar, dhe nga sezoni tjetër ai do të luajë për ekipin e Vardarit nga Shkupi.
“Familja ime e dashur, ti je arsyeja pse unë ndjej Bukureshtin si shtëpinë time të dytë. Në tre vitet e fundit ne kemi kaluar disa momente vërtet të mëdha dhe të bukura, por edhe ato më pak të bukura.
Fatkeqësisht, për shkak të dështimit të një personi i cili nuk i përmbushi detyrimet e tij kontraktuale ndaj meje, për herë të dytë këtë sezon unë u dëbova nga banesa.
Arsyeja është e thjeshtë, qiraja nuk është paguar dhe klubi është zotuar ta paguajë atë”, shkroi Kuduz, duke shtuar: “Unë për herë të parë u dëbova nga banesa në gusht të vitit 2020, atëherë mendova se ishte një keqkuptim, por kur ndodhi disa ditë më parë, në ditën e ndeshjes sonë me Konstandinin, kuptova se nuk ishte një rastësi.
Unë u thashë të gjithëve në klub se isha përsëri në rrugë, por askush nuk reagoi deri më sot. Gjithmonë kam dhënë gjithçka në parket për Dinamon dhe nuk mendoj se e meritoj këtë lloj trajtimi”.