Ndeshjet e gjysmëfinales të Play-off-it të Superligës së Kosovës, padyshim se zgjojnë kureshtje, si ajo mes Istogut dhe kampiones në fuqi Ferizaj, po ashtu edhe mes e Prishtinës e Vushtrrisë.
Ndeshja Istogu - Ferizaj luhet nesër në orën 18.00 në palestrën sportive në Istog.
Hendbollistja më e mirë në vijën e mbrojtjes, Suzana Ujkiq, anëtare e Istogut dhe e Kombëtares së Kosovës, tha se synojnë të gjitha trofetë.
“U pa qartë për 22 ndeshjet të kampionatit se ishim më të mira! 22 ndeshje, 22 fitore dhe asnjëra nuk u vu në mëdyshje!
Besoj se kështu do të jemi edhe në garat e Play-off-it të Superligës dhe të Kupës së Kosovës.
Jemi ekip më i organizuar dhe synojmë titullin dhe Kupën e Kosovës. Kemi bërë një punë të madhe në palestrën tonë me trajnerin Faruk Shala”, tha Ujkiq për gazetën kombëtare “Bota sot”.