Ishin vite të rënda (1991-1999), çdo ndeshje që udhëtonin sportistët shqiptarë, ishte sikur të shkonin në vijë të parë të frontit të luftës, sidomos kur ndaleshin në postblloqet e milicisë së pushtuesit serb!
Nëse milicia serbe i hetonte se janë sportistë, atëherë keqtrajtimet ishin të tmerrshme, që besa edhe i rrihnin e i merrni në biseda informative, pse po luani për Republikën e Kosovës.
Mevlude Haziri - Babatinca i takon Gjeneratës së Republikës dhe sado kudo ka dhënë kontribut për hendbollin dhe sportin në përgjithësi.
Ajo kurrë nuk i harron ato vite sepse ishin të kërcënuar nga regjimi serb.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/01/auto_41619872973.jpg)
Mevludja ka qenë portiere e hendbollit Llapi nga Podujeva dhe ka mbrojtur me sukses.
“Vitet e 90-ta për të gjithë kanë qenë të vështira.
Gjithherë u dashtë mi fshehur rekuizitat kur kemi udhëtuar”, tregon Mevludja për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Në vitet e pasluftës ka mbrojtur edhe për Vjosën e Shtimes dhe KHF Prishtina.
Ajo është krenare që dha kontribut sadopak në kohën e okupimit dhe që i rezistuan regjimit serb, duke i zhvilluar garat e Republikës së Kosovës.