Ish selektori i Kombëtares së Kosovës, Taip Ramadani, thur fjalë të mira për djelmoshat e Kosovës, duke e vlerësuar si sukses vendin e tretë me 3 pikë në grupin e 8-të të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në hendboll (meshkujt).
“Paraqitje e shkëlqyeshme e Përfaqësueses tonë në garat kualifikuese për Kampionatin Evropian 2022.
Kundrejt shumë pengesave jashtë kontrollit të gjithëve, dëshmuan se u ngritën edhe në një nivel ma të lartë.
Sfiduan bindshëm Rumaninë dhe për here të parë u ndodhën në lojën kyçe për kualifikim, por nuk ishte nata e jonë.
Pjesa kryesore e përfaqësueses ashtë prodhim i klubeve të qyteteve dhe katundeve tona me kushte të mjerueshme dhe pa kurrë një farë financimi.
Shumica e përfaqësueses luajnë ende në ligën vendore, ku dallimi i nivelit me ligat profesionale evropiane (ku luajnë lojtarët e Rumanisë, Malit të Zi dhe Suedisë) ashtë i tmerrshëm.
Jam i bindur se gjithë ata në prapavi, që nuk i ndalen kurrë punës për me arrit në këtë nivel, i pranojnë kritikat, por gjithashtu jam i bindur se do të ishin edhe ma falënderues për vullnetarë të punës dhe mbështetje financiare.
Para pak kohë u konsideroheshim si shtet në zhvillim, pastaj merrnim pjesë në gara para-kualifikuese për kampionat evropian, tash jemi pjesë e rregullt të ekipeve ma të forta evropiane - ndoshta hapa të vogla për shumë, por janë hapa të sigurta”, shkruan Ramadani në profilin e tij në facebook.