Duket se ka humbur durimi të klubi i hendbollit Istogu (femrat) dhe sipas tyre, nuk do të lejojnë më askënd të luajë me djersën dhe mundin e tyre dhe as me investimet e tyre!
Kupa është mbushur të Istogu dhe reagimi i fundit nga ky kolektiv, më i organizuari në Kosovë, dridh fort e keq Federatën e Hendbollit të Kosovës. Istogu kërkon që të shqyrtohen dhe të analizohen dy ndeshjet e fundit, se si i humbi nga Vushtrria!
Istogu kërcënon me tërheqje nga garat e Kupës së Kosovës dhe nëse ndodhë kjo, do të ishte katastrofë e madhe për Federatën e Hendbollit të Kosovës, për komunitetin e hendbollit.
Nuk është hera e parë që Istogu ankohet që po dëmtohet dhe si duket kësaj radhe e ka përnjëmend, që të tërhiqet nga garat.
Zgjidhja më e mirë dhe që do të ulte tensionet, a do të ishte që për ndeshjet finale të play-off-it por edhe gjysmëfinalet të referohen nga gjyqtarët prej shteteve të jashtme? Sigurisht kjo do të ishte zgjidhja më e mirë prej më të këqijave.
Ky reagim i Istogut, që njihet nga klubet më korrekte, për mikpritje shembullore, është treguesi më i mirë, se mund të shpërthejë një vullkan brenda këtij sporti!
“Të dy ndeshjet KHF Istogu i ka humbur më skuadrën e Vushtrrisë si pasojë e referimit të qëllimshëm kundër skuadrës sonë të referëve të ndeshjes Ilir Bytyqi dhe Suart Kasapi ndërsa në ndeshjen e dytë Sherif Xhema dhe Besfort Jahaj.
KHF Istogu ka paraqitur ankesë për dy ndeshjet ndaj skuadrës personave zyrtar, ne ndeshjet kundër Vushtrrisë. Dhe pret raportin e komisarit të garave.
KHF Istogu beson në shqyrtim të drejt të të dy ndeshjeve nga institucionet përkatëse të FHK- së.
KHF Istogu pezullon të gjitha aktivitetet e saj deri në një vendim të radhës”, kështu reagon Istogu.
Ky reagim djersit keq FHK-në sepse nëse tërhiqet një klub si Istogu, padyshim është edhe një kapitullim për këtë sport, se e humbin një klub shumë të organizuar. Istogu në asnjë formë nuk e akuzon Vushtrrinë, por kryekëput gjyqtarët.
A ka të drejtë apo jo, janë njerëzit profesionistë që do të analizojnë në tërësi këtë situatë.
Istogu është i prerë: Nuk lejon askënd më të tallet me ta dhe as mundin t’ia çojë huq. Ky është mesazhi i qartë për FHK-në dhe si duket edhe i fundit, që do të thotë i ka mbështetur për muri.