Hendbollistët dhe hendbollistet u angazhuan me gjithë arsenalin që kishin në vitet e 90-ta, duke i zhvilluar ndeshjet në kuadër të Kampionatit të Republikës së Kosovës.
Si çdo sport tjetër, edhe hendbolli u ballafaqua me kërcënime të rënda nga regjimi serb.
Djelmoshat dhe vashat tona lozën në fusha dhe salla të improvizuara, pasi që stadiumet dhe objektet sportive u uzurpuan nga bandat dhe milicia e okupatorit serb.
Haki Haxhiu i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë ndër hendbollistët më të dalluar të viteve të 90-ta.
Ai ka luajtur me sukses në pozitën e bekut të djathtë dhe për skuadrën e Llapit nga Podujeva, që si vendas i luante ndeshjet në Dumnicë.
Haxhiu dha kontribut të madh për hendbollin dhe sportin në përgjithësi.
Përkundër kërcënimeve nga regjimi kriminal serb, Haxhiu në asnjë formë nuk u luhat por me përkushtim e krenari kontriboi në garat e Republikës së Kosovës.
Edhe ai si shumë hendbollistë të tjerë, i kujtohet terrori që përjetuan në vitin 1996 në ndeshjen mes Kastriotit dhe Llapit, në fushën “Ganimete Tërbeshi” në Ferizaj, milicia e regjimit serb ndërpreu ndeshjen dhe i kërcënoi të gjithë, disa i mori në bisedë informative.
Haxhiu si çdo sportist tjetër shqiptar kreu detyrën e tij ashtu si i ka hije në shërbim të sportit dhe shtetit të Kosovës.