Besa Famgas nga Peja, pas titullit të kampionit të Kosovës, synon edhe kurorën tjetër, Kupën e Kosovës.
Pejanët janë të përgatitur në çdo aspekt dhe llogariten favorit i madh në përballje me Trepçën nga Mitrovica, në gjysmëfinalen që luhet nesër në orën 17.00 në palestrën e sportit në Istog.
Hendbollisti i Besës, Yll Muqolli, tha se skuadra e tij nuk e beson që do të ketë ndonjë problem për të fituar trofeun e radhës.
“Mendoj se Besa edhe këtë vit nuk do të ketë probleme si në ndeshjen e nesërme ndaj Trepçës po ashtu edhe në finalen e të shtunës.
I premtojmë qytetit të Pejës se edhe Kupa e Kosovës do të vijë aty, ku e ka vendin sepse jemi bindshëm ekipi më i kompletuar dhe me organizim më të mirë në Kosovë”, tha Muqolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Besa pretendon ta mbyllë edicionin me kurorë të dyfishtë: Kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës.