Të gjitha hendbollistet meritojnë notën dhjetëshe për fitoren e mbrëmshme, me rezultat 33:27 kundër Luksemburgut, në ndeshjen e xhiros së dytë të grupit 1 të parakualifikueseve për Kampionatin Evropian në hendboll!
Në ndeshjen e mbrëmshme, Suzana Ujkiq bie në sy të njohësve dhe trajnerëve të Kosovës.
Suzana ishte si lokomotivë në fushë dhe forcë e Kombëtares tonë.
Që moti nuk e kemi pa një Suzanë aq të shpejtë, aq të fuqishme dhe të pamëshirshme për kundërshtaren.
Një Suzanë brilante!
Jo që shënoi 8 gola, por ritmi i saj në fushë dhe dashuria e madhe që e ndjente për fanellën e Kosovës, nuk e linte rehat atë për asnjë sekondë që të ndalej duke luftuar për çdo top në fushë.
Ajo ishte në gjendje qoftë nevoja edhe të vdes në fushë vetëm për fitoren e Kosovës, aq me tepër kur e dinte se i mungonin shumë bashkëojtare, disa nga lëndimi e disa nga Covid 19.
Vajza nga Tuzi i Malit të Zi apo që njihet si burrnesha nga Malësia e Madhe, mbrëmë ka luajtur ndeshjen më të mirë të saj jetësore, për faktin se e kuptonte peshën e fanellës dhe të shtetit dhe si një ushtare e vërtetë në vijën e parë të frontit, luftonte si trimëreshë, apo siç thuhet në zhargonin sportiv: Të vdes po por të dorëzohet kurrë.
Nuk ishte e lehtë për asnjë hendbolliste sepse Kosova paraqitej në fushë me vetëm nëntë lojtare, një barrë e madhe, por lojtaret në fushë luftuan si luanesha.
Kush është Suzana Ujkiq? Suzana luan në mbrojtje, shtatlarte dhe është nga qyteti i Tuzit.
Para tre vjetësh mori nënshtetësinë e Kosovës, ndërsa motra e saj Dijana, është lojtarja më e mirë shqiptare dhe luan për Kombëtaren e Malit të Zi.
Suzana mbrëmë ka qenë fenomenale, meriton më shumë se notë dhjetëshe. Angazhimi i saj, guximi dhe lëvizjet mjeshtërore, disa herë e lanë në pat pozicion kundërshtaren. Kjo është fuqia e vërtetë e Suzanës.
Një aset që e nuk e kemi shfrytëzuar deri mbrëmë. Një aset i madh i Kombëtares. Një lojtare që i jep siguri Kombëtares dhe që meriton komplimente, sepse tregoi se si luftohet e dashurohet fanella e Kombëtares së Kosovës.