Sportistët shqiptarë të Kosovës, u përballen më shumë të papritura në vitet e 90-ta (1991-1999).
Ata u ballafaquan me dhunën e paparë të pushtuesit serb. Sportistët ishin të përndjekur, të rrahur e disa edhe të arrestuar e të burgosur!
Agim Vrapçani i takon Gjeneratës së Republikës, portier i klubit me renome të hendbollit Prishtina në vitet e 90-ta.
Një sportist i guximshëm në vitet e 90-ta, kontribues i madh dhe gjithmonë me shokë sikur në vijë të parë të frontit kundër regjimit kriminal serb.
“Ka qenë kohë e vështirë, kemi pas telashe, sidomos kur udhëtonim në ndonjë qytet tjetër me luajt.
Dihej gjithmonë me Izetin (Gjinovcin) e Osmanin (Demollin), kur na ndalte milicia serbe, u thoshim që po shkojmë në një të pame se përndryshe na bënin telashe.
Kemi kaluar punkteve famoze si rrugës për Samadrexhë dhe Komoran, gjithmonë u eskivonim për mos me pas probleme.
E këtë milicin në Gërmi të koshat e patëm korruptuar me do gjëra të vogla, lëngje e qipsa, kështu që nuk na bënte telashe. Kur luanim aty atë e kemi pas spektator”, tregon Vrapçani për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Vrapçani është krenar për kontributin që ka dhënë në gjeneratën e sakrificës dhe së bashku me mijëra sportistë që iu kundërvunë regjimit serb.